Si lindi tradita e mbulimit të grave?

Ndoshta asnjë veshje në histori nuk mund të ketë shkaktuar më shumë polemika sesa mbulesa e fytyrës së grave. Aktualisht, në Iran po zhvillohen protesta të mëdha për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje, pas vdekjes tragjike të Mahsa Amini, një grua e re që humbi jetën në stacionin e policisë pasi u arrestua nga policia morale e Iranit me akuzën e shkeljes së ligjit për mbajtjen e mbulesës, hixhabit.

Ndërkohë në Indi, studentet myslimane po e padisin qeverinë, që të lejohen të mbajnë hixhabin në klasë. Pra, ndërsa disa e shohin mbulesën si një simbol të shtypjes, të tjerët e shohin atë si një simbol të lirisë së zgjedhjes. Ndërsa sot mbulesa lidhet kryesisht me Islamin, nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Mbajtja e mbulesës nga gratë daton shumë kohë para shfaqjes së Islamit. Dëshmitë e hershme të kësaj veshjeje gjenden në Evropën e lashtë. Burimi më i hershëm që kemi është një kod ligjor i Asirisë së Mesme që daton diku midis viteve 1400-1100 Para Krishtit.

Ligji përmbante masa të forta se kujt i lejohej të mbante mbulesë dhe kush jo. Ligje të tilla vareshin nga shtresa shoqërore, grada dhe profesioni i gruas. Për shembull skllavet dhe  prostitutat, ndaloheshin që të mbanin çdo lloj mbulese, dhe nëse e bënin përballeshin me dënime të rënda.

Kështu çdo prostitutë që zbulohej se mbante një vello, përballej me 50 goditje me thupër. Më pas mbi kokë do t’i hidhej katran i nxehtë. Ndërkohë çdo burrë që nuk raportonte një grua pa mbulesë, përballej me 50 goditje me thupër dhe skllavërimin për 1 muaj.

Ndërkohë çdo grua e skllavëruar që kapej me një mbulesë, tërhiqej zvarrë në hyrje të pallatit dhe më pas do t’i priteshin veshët. Në Asiri, mbajtja e mbulesës nuk ishte vetëm një simbol i shtresës shoqërore, por përdorej për të bërë dallimin midis grave që konsideroheshin të respektueshme dhe atyre që shiheshin si “të disponueshme” për marrëdhënie seksuale.

Ndaj mbajtja e mbulesës nga ato që nuk i plotësonin kriteret, cilësohej si një fyerje për hierarkinë sociale të kohës. Por referencat për mbajtjen e mbulesës mund të gjenden gjatë gjithë historisë greke. Referenca më e hershme e regjistruar i përket greqishten mikenaserreth vitit 1300 Para Krishtit.

Qasja greke ishte e ngjashme me atë të asirianëve, por pa ligje shumë strikte. Gjatë viteve  550-323 P.E.S, ishte e zakonshme që gratë e respektuara në Greqi të visheshin në një mënyrë shumë konservatore. Pjesë e kësaj veshje ishte edhe velloja e fytyrës.

Por gratë mbuloheshin edhe në Romën e lashtë. Velloja shihej si simbol i autoritetit të burrit mbi gruan e tij. Një grua që refuzonte të mbante mbulesën shihej si e pa përkushtuar plotësisht ndaj martesës së saj.

Për shembull, në vitin 166 P.E.S, një konsull, një magjistrat i nivelit shumë të lartë, i quajtur Sulpicius Gallus shkoi deri në divorcin nga gruaja e tij, vetëm sepse ajo kishte dalënga shtëpia pa mbulesën e saj. Në përgjithësi, nuk kishte ndonjë pritshmëri që vajzat e pamartuara të mbanin vellon, pasi kjo do ta bënte më të vështirë gjetjen e një burri.

Por mbulesa e kishte dhe një element supersticioni. Disa besonin se veshja e një velloje, mund t’i mbronte gratë nga “syri i keq”, një besëtytni mbi ndjelljen e fatit të keq të nxitur në mënyrë të pavullnetshme nga të tjerët. Po ashtu mbulesa ishte pjesë e dasmave romake.

Tradicionalisht, nusja mbante para fytyrës një vello me një ngjyrë të verdhë të ndezur. Kjo ngjyrë evokonte Flamincia Dialis, kryepriftëreshën femër e Jupiterit, e cila nuk u lejua të divorcohej nga burri i saj, kryeprifti i Jupiterit. Besohej se mbajtja e vellos, ishte një ogur i mirë, pasi pasqyronte qëndrueshmërinë e martesës hyjnore.

Teksa perandoritë evropiane u zgjeruan, ato e përhapën kudo këtë praktikë. Ndërsa popullatat u ndërthurën gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, u bënë gati të ngjashme praktikat kulturore të Perandorive Greke, Persiane, Romake dhe Mesopotamiane dhe të popujve semitë të Lindjes së Mesme.

Mbajtja e mbulesës nga gratë, ishte një pjesë e rëndësishme e të ashtuquajturit Krishterim të hershëm, pasi gjeti mbështetje si në Bibël ashtu edhe në Etërit e Kishës (teologë të hershëm të krishterë me shumë ndikim). Ka të ngjarë që besimet e tyre në lidhje me vellon, të jenë formuar nga traditat e lartpërmendura greke dhe romake.

Sot, shumë evropianë priren ta shohin mbajtjen e mbulesës tek gratë si një simbol të një feje të huaj që vjen nga Lindja. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Mbulimi i fytyrës në Evropën Mesjetare ishte jo vetëm e përhapur, por edhe i pritshëm. Për pjesën më të madhe të epokës mesjetare, asnjë grua e respektuar evropiane nuk mund të largohej nga shtëpia pa mbulesën e saj.

Pjesa më e madhe e Evropës Mesjetare ishte në thelb e krishterë. Shkrimet e krishtera i referoheshin vazhdimisht grave që mbanin mbulesë. Për shembull, letra e Palit të Tarsusit thoshte se gratë duhet të mbulojnë flokët e tyre gjatë lutjes. Edhe Etërit e Kishës thoshin se e flokët e grave ishin joshëse në aspektin seksual, dhe si të tilla ato duhet të shiheshin vetëm nga burrat e tyre.

Lidhja midis mbulesës në fytyrë dhe faljes në Kishë, i dha mbulesës një nuancë morale. Ndaj një grua që nuk mbulohej shihej si imorale dhe me mungesë modestie. Shumica e grave mëMesjetë mbanin një vello të thjeshtë prej pëlhure. Me kalimin e kohës, ishte më e zakonshme që gratë evropiane të mbulonin flokët por jo fytyrën.

Ironikisht, edhe pse mbulesa lidhej me modestinë, mbajtja e vellos u bë një mënyrë për të treguar pasurinë dhe statusin superior. Është e qartë se myslimanët e hershëm e kopjuan mbajtjen e mbulesës nga fqinjët e tyre të krishterë. Historikisht, si Islami, Judaizmi dhe Krishterimi vijnë nga e njëjta pemë monoteiste.

Si e tillë, origjina e Islamit në shekullin e VII Pas Krishtit, është e lidhur me dy fetë e tjera më të vjetra. Tekstet fetare të të tria feve, i referohen idesë se burrat dhe gratë duhet të vishen në mënyrë modeste. Në veçanti, gratë duhet të vishen në mënyrë modeste për të shmangur vëmendjen e padëshiruar nga burrat.

Edhe ideja islame se flokët kanë një potencë seksuale, buron gjithashtu nga krishterimi.

Por të treja fetë dallojnë në përmendjet e mbulesës. Nga të tre tekstet fetare, vetëm Bibla e përmend në mënyrë të qartë veshjen e mbulesës. Kurani nuk përmend qartazi që gratë duhet të mbulohen, por vetëm nevojën e një veshjeje modeste.

Përhapja e mbulesës brenda Islamit, mund të gjurmohet që në pushtimet e hershme myslimane. Literatura nga Bizanti i krishterë, e bën të qartë se nga gratë brenda perandorisë pritej që të mbanin mbulesë në fytyrë. Gjatë pushtimeve të hershme myslimane të viteve 622-720 të Erës Sonë, Bizanti përjetoi humbje të mëdha territoriale.

Duket se pushtuesit myslimanë, feja e të cilëve kishte mësime të ngjashme mbi modestinë si Krishterimi, e panë veshjen e vellove nga gratë bizantine, dhe vendosën që ajo ishte një shprehje e përshtatshme e idealeve Kur’anore. Gradualisht, kjo veshje nisi të përhapej tek gratë arabe të klasës së lartë.

Më pas u kopjua edhe nga shtresat e ulëta, u përhap shpejt në qytetet e mëdha në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo praktikë vazhdoi të forcohej në vendet kryesisht myslimane, ndërsa në të tjerat u zvogëlua. Sot, në kundërshtim me opinionin popullor, vetëm 2 vende e zbatojnë ligjërisht mbajtjen e mbulesës: Irani dhe Afganistani.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *