Nga Daniel Gros/ “Project Syndicate”
Gjatë muajve të fundit, çmimet e gazit dhe energjisë elektrike në Evropë janë rritur në nivele të paprecedenta me gati 100 për qind. Më pas ato ranë me 1/3, dhe tani janë rritur sërish, që në momentin kur Rusia njoftoi se rivënia në punë e gazsjellësit “Nord Stream 1”, që dërgon gazin rus në Gjermani, do të pezullohej për një kohë të pacaktuar.
Shumë udhëheqës evropianë kanë reaguar ndaj luhatjeve të forta në çmimeve të energjisë në Evropë duke fajësuar tregjet. Por “vrasja e lajmësit” nuk është asnjëherë qasja e duhur. Për politikë-bërësit evropianë, paqëndrueshmëria ekstreme e tregjeve të energjisë, tregon se këto tregje nuk janë më racionale.
Në fakt, gazi natyror po bëhet një mall i rrallë, dhe çmimet e energjisë thjesht po reagojnë në përputhje me rrethanat. Pezullimi nga Rusia i punës së gazsjellësit “Nord Stream I” nuk ishte diçka e papritur, duke pasur parasysh faktin që nivelet evropiane të rezervimit të gazit po rriten me shpejtësi, dhe presidenti rus Vladimir Putin e di se do ta humbasë ndikimin e tij gjeopolitik nëse Evropa përgatitet për dimrin që po vjen pa gazin rus.
Shkalla e problemit është e madhe. Para se ta pushtonte Ukrainën, Rusia plotësonte rreth 30 për qind të nevojave për gaz të Evropës. Që nga muaji shkurt, vendet evropiane janë detyruar që ta kompensojnë këtë humbje përmes kursimeve të energjisë dhe importeve nga burime alternative.
Në frontin e kursimeve, rekordi i Evropës ka qenë deri më sot i përzier. Çmimi i lartë i gazit, e ka detyruar industrinë të përdorë lëndë djegëse alternative apo të reduktojë prodhimin. Kështu kompanitë gjermane përdorën 20 për qind më pak gaz në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Por përdoruesit më të mëdhenj të gazit gjatë muajve të dimrit do të jenë familjet. Dhe ndërsa moti ftohet më shumë, do të jetë e vështirë që t’i bindësh njerëzit ta pakësojnë ngrohjen e shtëpive të tyre. Qeveritë evropiane po u kërkojnë tashmë konsumatorëve që të ulin nivelin e termostateve dhe të bëjnë më pak dush me ujë të ngrohtë.
Por apele të tilla, ka të ngjarë të kenë pak ndikim. Edhe forcimi i rregullave për ngrohjen e godinave publike, pritet që të sjellë kursime të vogla. Ndërgjegjësimi i familjeve për krizën e gazit do të jetë thelbësor për të ndihmuar që Evropa të mund ta kalojë dimrin, pa pasur nevojë të përdorë racionimin e detyruar.
Por kjo gjë nuk do të jetë e lehtë. Mesatarisht, çmimet e gazit për konsumatorët familjarë janë dyfishuar që nga gushti i vitit 2021. Por shumë prej tyre nuk e kanë vënë re ende plotësisht, pasi përdorin shumë më pak gaz gjatë muajve të verës, dhe paguajnë shuma mujore fikse, që do të verifikohen se janë rritur vetëm disa muaj më vonë.
Por ndërkohë, rritja e çmimeve të energjisë tashmë po nxit protesta të mëdha në gjithë kontinentin. Përballë presionit politik në rritje, disa vende anëtare të BE-së kanë shpërndarë subvencione për të ulur çmimet e konsumit. Franca ka kufizuar çmimet e gazit dhe energjisë elektrike, ndërsa Italia e ka ulur normën e TVSH për gazin.
Për pasojë, çmimet e gazit për familjet ranë me 15 për qind në Itali, mbetën të qëndrueshme në Francë, ndërsa u rritën me afro 20 për qind në Gjermani. Kostoja fiskale e subvencioneve të energjisë do të jetë e madhe, duke arritur në dhjetëra miliarda euro në vendet më të mëdha të BE-së.
Por nuk është kjo më e keqja. Këto subvencionime çmimesh, do të bëjnë që kërkesa për gaz të bjerë më pak se sa do të ishte në rrethana të tjera. Konsumatorët që paguajnë më pak për gazin, do të jenë më pak të prirur të reduktojnë ngrohjen apo të bëjnë më pak herë në muaj dush me ujë të nxehtë.
Ndërkaq, Evropës do t’i duhet që të importojë më shumë gaz sesa do të kishte bërë nëse konsumatorët do të ishin detyruar, nëpërmjet çmimeve më të larta të energjisë, që ta njohin krizën dhe t’i përshtaten asaj. Për më tepër, ku mendojnë se do ta marrin gazin shtesë liderët evropianë?
Shumica e prodhuesve të gazit po punojnë tashmë me kapacitetin maksimal, dhe nuk do të jenë në gjendje të rrisin prodhimin e tyre gjatë muajve të ardhshëm. I vetmi burim potencial i furnizimit shtesë është gazi natyror i lëngshëm (LNG) i devijuar nga Azia. Por kërkesa më e lartë për import nga Evropa, do të ushtrojë edhe më shumë presion mbi çmimet globale të LNG-së, duke e rritur kësisoj faturën e importeve evropiane.
Faktori që e ndërlikon më shumë situatën aktuale, është se vendet evropiane nuk janë të vetmet që po përpiqen t’i mbrojnë konsumatorët nga çmimet e larta të gazit. Disa vende të mëdha importuese në Azi, si Japonia dhe Koreja e Jugut, po kufizojnë me ligj çmimet e energjisë për familjet.
Kjo mund të jetë një nga arsyet pse kërkesa aziatike për gaz ka rënë disi aktualisht, dhe pse çmimet e gazit në bursa ishin të larta edhe para luftës së Rusisë në Ukrainë. Kufiri i çmimeve në Azi, ka sjellë çmime më të larta të importit për Evropën, gjë që më pas i nxit politikë-bërësit evropianë të shtojnë subvencionet për të mbajtur të ulëta çmimet e konsumit, duke vënë në lëvizje një rreth vicioz të çmimeve gjithnjë e më të larta në treg dhe të subvencioneve gjithnjë më të mëdha.
Gjithsesi çmimet mund të rriten, për shkak të ndikimit të madh që do të kishin mbi çmimet globale subvencionet në mbarë BE-në. Por ka një mënyrë më të mirë sesi mund të veprohet. Në vend se ta subvencionojnë konsumin përmes kufijve ndaj çmimeve, qeveritë evropiane duhet të subvencionojnë kursimet e gazit. Për shembull, ata mund të paguajnë familjet për të reduktuar konsumin e tyre këtë dimër. Kjo do të përfshinte edhe uljet e taksave, por analizat e fundit sugjerojnë se subvencione të tilla kryesisht do të shlyenin veten nëpërmjet çmimeve më të ulëta të importit.
Nga ana tjetër, politikë–bërësit mund të inkurajojnë kursimet e energjisë, duke u ofruar familjeve një kufi të çmimit. Sipas kësaj skeme, subvencionet do të mbulonin një shumë bazë për frymë, ku familjet do të paguanin çmimin e tregut për konsum mbi këtë nivel.
Sido që të jetë, politikë–bërësit evropianë duhet t’i shpjegojnë elektoratit të tyre, se gazi është bërë shumë i pakët, dhe se mbrojtja e tyre e plotë nga çmimet më të larta është e pamundur. Dhe përpjekja për ta bërë këtë do të ishte shumë kundër–produktive. Ndërkohë, liderët evropianë mund të përdorin burimet e kufizuara financiare për të krijuar stimuj për familjet për të kursyer, dhe për ta bërë më të lehtë që Evropa t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus.
Shënim: Daniel Gros, anëtar në Qendrën për Studimet e Politikave Evropiane.