Stili ritmik i jetës dhe tendencat e modës së viteve të fundit drejt komfortit kanë rritur kërkesën për veshje sportive në vend. Kjo tendencë u përforcua më shumë gjatë pandemisë, teksa karantina dhe bllokimi i aktiviteteve sociale pothuajse i nxorën nga përdorimi veshjet klasike.
“In Sport”, me aktivitet në tregtimin e artikujve sportivë, është për të dytin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, ndërsa ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit të pandemisë. Kompania raportoi të ardhura 1.1 miliardë lekë (rritje me 9%) dhe fitime 272 milionë lekë (zgjerim 8.2%).
Edmond Gjyli, administrator i “In Sport”, distributori i Nike për Shqipërinë, dhe që ka rrjetin e dyqaneve në të gjithë vendin, SportVision, SportReality, BuzzSneakerstation dhe Nike Shop pohon se “duke qenë se njerëzit u mbyllën për një periudhë të caktuar kohe, nevoja për të qenë më shumë sport, për të parë natyrën, nevoja për të dalë dhe për të eksploruar më shumë ishte ajo që ndryshoi tendencën e veshjeve sportive në pandemi. Një tjetër shtysë e madhe ishin rrjetet sociale, që e bënë konsumatorin shqiptar të jetë më shumë i fokusuar dhe të ndjekë trendin botëror”.
Ai shton se kompania u përshtat me shpejtësi dhe platforma Online që u hap në fund të vitit 2019 çoi në rritjen e menjëhershme të shitjeve online në mungesë të dyqaneve fizike. “Preferencat ishin veshjet dhe atletet lifestyle por një rritje të konsiderueshme shënuan dhe kategoritë ‘running’ dhe ‘training’ te grupmoshat e reja. Meshkujt janë konsumatorët që zënë përqindjen më të lartë në shitje, por viti pandemik solli një rritje të konsiderueshme edhe të femrave dhe fëmijëve”.
“Balkan Sport”, që ishte në renditjen e 2019, ka dalë këtë vit nga lista e kompanive me fitim më të lartë. Ndonëse të ardhurat qëndruan në nivelin e rreth 1.5 miliardë lekëve, fitimet u ulën ndjeshëm në 91 milionë lekë, e ndikuar nga rritja e fortë e shpenzimeve për lëndë të parë.
Në biznesin e veshjeve në vend, më i madhi sipas qarkullimit vjetor mbetet “ITX Albania”. Sipas deklarimeve në Tatime, qarkullimi i saj vjetor në vitin 2020 ishte 3 miliardë lekë, me rritje 14% dhe fitimet 705 milionë lekë.
“LC Waikiki Retail AL”, me të ardhura 2.9 miliardë lekë dhe fitime 300 milionë lekë, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc).
Në raportet vjetore, operatorët deklarojnë se janë ndikuar nga pandemia, si rrjedhojë e karantinës disamujore, por aktiviteti i tyre i është rikthyer normalitetit.
/Burimi: MONITOR/