Sot në Tiranë u finalizua “shkatërrimi” i dy grupeve kriminale që vendosi në pranga 20 persona e shpalli në kërkim 4 të tjerë, që shpërndanin drogë në shkolla dhe në klubet e natës. Shënjestra e tyre duket se ishin të miturit në gjimnaze, të cilëve u shisnin kanabis, kokainë dhe heroinë. Numri i përdoruesve të drogës sa vjen e rritet dhe kjo gjë vërtetohet nga pacientët që kërkojnë ndihmë në shërbimin e toksikologjisë, por në sy sipas mjekëve bien moshat e reja.
Por ajo që është alarmante është fakti kokaina nis që në moshat 12-13 vjeç, kryesisht tek vajzat.
“Numri i përdoruesve të drogës është rritur. Kemi 18-35 vjeç që janë të shtruar. Kokaina nis që në 12-13 vjeç, kjo sepse është ulur mosha e përdorimit. Në rritje është dhe përdorimi i substancave narkotike te vajzat e reja. Kokaina ka nisur të përdoret dhe nga vajzat të cilat vijnë në pavionin tonë për ndihmë. Rastet emergjente janë më të shpeshta gjatë fundjavës, kjo për shkak të festave të shfrenuara,”
Sipas të dhënave të shoqatave, të cilat merren me rehabilitimin e përdoruesve të drogës, numri i tyre është rreth 60 mijë, prej të cilëve 8 mijë janë përdorues intervenozë. Përdorimi i drogës nga të rinjtë dhe jo vetëm në Shqipëri, u theksua në raportin e OKB-së.
Shqipëria rezultonte si vendi me prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë. Prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15 – 64 vjeç. Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet. Për përdorimin e kanabisit, Shqipëria ka një prevalencë më të rritur, prej 5.6 (të dhënat po të vitit 2014), më e larta në rajon.
E pikërisht shpërndarësit e kapur sot, por edhe të tjerë që operojnë në “treg”, po kontribuojnë në shtimin e këtyre rasteve të përdorimit, duke shkaktuar dëme të mëdha tek përdoruesit. Sipas mjekëve, një nga problemet që vijnë prej përdorimin të lëndëve narkotike tek vajzat është infertiliteti, por edhe goditjet në tru që shkaktohen nga dozat e konsumuara të drogërave të forta.