Por ndërsa dukej i paprekshëm dhe gjithmonë e më i fuqishëm, Ervis Martinaj do të ishte edhe vetë subjekt i plumbave, ku do të mbetej edhe vetë i plagosur, ngjarje që do të tronditnin fort mitin e tij pavdekshmërisë.
E tillë do të ishte edhe përplasja e madhe me armë, në ish-Bllok, mbrëmjen e 4 tetorit 2018, në brendësi të një lokali luksoz, ku gjatë një sherri që nisi si verbal, grupi i Ervis Martinaj u ndesh me armë me atë të Ervin Matës, ky i fundit një biznesmen i njohur, skenë krimi, ku mbeti i vdekur Fabian Gaxha dhe ku u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon alias Esmeraldo Hato. Përplasja thuhet se erdhi për shkak të prishjes së pazareve mes grupeve, por zyrtarisht u shënua si një sherr që lindi për ngacmimin e një këngëtareje të njohur, por ku edhe këtë herë, Ervis Martinaj, i cili mbante dhe dokumente me identitetin e rremë Admir Koça, i lindur në Leposaviq dhe me adresë banimi në Plemeti, Komuna e Obiliqit-Kosovë, ia hodhi paq t’i shpëtonte drejtësisë për masakrën.
Ndërkohë që drejtësia e vendosi në vend nderin e kësaj ngjarje të rëndë, me një vendim që mund të konsiderohet skandaloz, duke i dënuar përfundimisht, protagonistët e tjerë të kësaj përplasje me armë, me 100 orë punë, në interes të publikut, por ndërsa kjo ngjarje u pa si një përplasje më se e zakonshme midis bandave, një hetim financiar i nisur për Ervis Martinaj zbuloi se ai ishte përfshirë në tregun ilegal të lojërave të fatit, nëpërmjet një rrjeti kompanish pa licencë dhe fitim, përmes të cilave kishte kryer transaksione multimilionëshe.
Më 1 gusht 2018, Departamenti i Policisë Kriminale referoi një kallëzim penal për një rrjet kompanish, pas të cilave mendohej se fshihej Ervis Martinaj. Rrjeti i kompanie, të cilat shërbenin si një skemë e pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë, ku pjesa më e madhe e të ardhurave vinin nga lojërat e fatit.
Kallëzim, që u vu në lëvizje, dhe u shndërrua në një dosje hetimore, menjëherë pas skenës së përgjakshme të ndodhur në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut. Ngjarja çoi në arrestimin e Martinaj mesnatën e 4 tetorit në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, i dyshuar si organizatori i përplasjes me armë, që shkaktoi një të vrarë dhe dy të plagosur.
Vetëm disa ditë pasi u vu në pranga, krahas kësaj ngjarje, Prokuroria ngriti ndaj Martinaj edhe disa akuza të tjera, si ‘Pastrim parash’, ‘Organizim të lotarive të palejuara’, ‘Fshehje e të ardhurave’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’. Ndërkohë që Gjykata, vendosi lënien e tij në masën e arrestit me burg për 30 ditë, pasi arsyetoi se nuk ishte faktuar që celulari i ekspertuar në Izrael i përkiste Martinajt. Celulari u zbërthye nga ekspertët në Izrael, ku thuhet se u zbuluan shumë audio, video, kontakte, por edhe mesazhe që dëshmonin për lidhje te tij, me njerëz të fuqishëm.
Por, ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli e ashpërsoi masën e sigurisë ndaj Ervis Martinajt, vendim që u duartrokit nga Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një mesazhi të postuar në Facebook me hashtag “Kush e ka radhën”
MESAZHI I AMBASADËS AMERIKANE
“Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë”.
Pavarësisht duartrokitjes së amerikaneve, Martinaj doli sërish në liri, ndërkohë hetimi për lojërat e fatit vijonte.
Po çfarë zbuloi ky hetim i prokurorisë? Cilat ishin kompanitë përmes të cilave ishin kryer transaksionet?
Ervis Martinaj debutoi fillimisht në biznes me një pikë servisi kompjuterësh.
Ai u regjistrua si person fizik ne Qendrën Kombëtare të Biznesit, më 10 korrik 2006 për të shfaqur më tej ambiciet e tij në tregun e bixhozit. Më 28 tetor 2011 ai themeloi kompaninë “King Casino”, ku anëtarë bordi në këtë kompani ishin dy xhaxhallarët e tij, Faik dhe Rakip Martinaj. Në 20 maj 2015, me vendim të aksionerit të vetëm u vendos pezullimi i aktivitetit, por hetimi pasuror zbuloi transaksione të shumta bankare në emër të kësaj kompanie por edhe të kompanisë ‘Mati Union’, e regjistruar në emër të Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinaj, para të derdhura në 3 banka të ndryshme.
Referuar dosjes hetimore, pjesa më e madhe e parave kishin kaluar në sistemin bankar në emër të kompanisë së të atit “Mati Union”, e themeluar në vitin 2000, me objekt: ‘Agjent për trasfertë të parave për llogari të një subjekti jo banke, këmbim valute”.
Të ardhurat në njërën nga këto llogari bankare të Martinaj, ishin kredituar nga persona të ndryshëm me përshkrimin “të ardhura nga lotot”.
Në vijim, ai që filloi të njihej si ‘Mbreti i Kumarit’, e zgjeroi rrjetin edhe me kompaninë e basteve sportive “Albania Baste Live”, të cilën e themeloi me 4 prill 2012, ku aksioner i shoqërisë ishte Ervis Martinaj. Dy vite më vonë, me anë të një kontrate shitblerje, Ervis Martinaj ia shiti 100 për qind të aksioneve shtetasit Kol Paluka, kundrejt çmimit 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
Pas shitjes se aksioneve, Ervis Martinaj, vendosi të largohej si aksioner, ndërsa Kol Paluka u bë aksioner i vetëm i shoqërisë.
Vlera është paguar në CASH dhe blerësi ka deklaruar se të ardhurat vinin nga biznesi i tij dhe të ardhurat e akumuluara gjatë viteve. Por informacionet e marra në sistemin Tatimor, rezultuan se Kol Paluka nuk kishte kryer kurrë asnjë aktivitet tregtar dhe kishte qenë regjistruar vetëm si punonjës i shoqërisë ‘Albania Baste Live’ për një periudhë prej 5 muajsh. Kol Paluka ndërroi jetë për shkak sëmundjeje në spital vetëm 5 muaj pasi mori shoqërinë tregtare nga Ervis Martinaj.
Hetimi zbuloi se shitblerja e kompanisë ishte kryer në mënyrë fiktive me qëllim heqjen nga detyrimet të shtetasit Ervis Martinaj.
Bashkëshortja e Kol Palukës tregoi se i shoqi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kishte pasur asnjëherë aq para sa të blinte një shoqëri. Hetimi zbuloi gjithashtu se kompania në fjalë nuk kishte qenë e pajisur me licencë për ushtrim aktiviteti.
Në vitin 2013, një kompani e tretë lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së 36-vjeçarit, nën emrin tregtar “Eurovis”. Në dhjetor të 2012, Martinaj regjistroi gjithashtu një kompani telekomunikacioni me ortak sicilianin Prospero Albelice. Sipërmarrja nuk zgjati, për shkak të arrestimit të sicilianit nën dyshimet për mashtrim.
Shoqëria ITSGA e pajisur me leje për ushtrim të aktivitetit ‘Lojëra Fati’ kategoria ‘Baste Sportive’ nr. 44, datë 09.04.2014 me afat 10-vjeçar. Nga hetimi u provua se kjo shoqëri ka pasur dhe ka operuar me 2 450 adresa sekondare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Pronari i një pike basti iu tha hetuesve se “procedura e punës funksiononte në mënyrë të tillë që pasi bëhej një shumë prej 50 000 lekësh të reja, shkonte tek zyrat që ndodhen prapa E*** kati parë, ku lekët i jepeshin një personi me emrin Beni”.
Këto ambiente evidentoi prokuroria administroheshin nga shtetasi Ervis Martinaj. Në filtrin e hetuesve kaluan edhe kompani të tjera në emër të familjarëve të Martinajt, ndërsa u sekuestruan 12 kontrata noteriale të kryera në vitet 2009-2013 për blerje automjeti apo pasurish të paluajtshme./nesw24