Shqipëria nënshkroi këtë të martë marrëveshjen me kompaninë amerikane “Jons Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike dhe rritjen e infrastrukturës dixhitale.
Ministrja theksoi se në kohën kur po dixhitalizoheshin shërbimet për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të mos përballen me pritjet e gjata në radhë, ekspozohemi ndaj sulmeve kibernetike.
Sipas saj, sfida më e madhe sot është siguria kibernetike, linja e fundit e mbrojtjes mes informacionit tonë më jetik dhe sulmit kaotik.
“Sulmet mund të jenë të brendshme apo të jashtme dhe nuk bëjnë dallim mes vendeve shumë të mëdha apo të vogla. Sulme kibernetike ndodhin çdo 14 sekonda në botë. Qeveria Shqiptare është e vetëdijshme për rrezikun që paraqesin sulmet kibernetike dhe rrjedhja e informacioneve. Ne po ndërmarrim sot një qasje proaktive ndaj sigurisë kibernetike. Sot kemi nderin të kemi përfaqësues të Jones Group”, tha ajo.
Personalitet i ushtrisë dhe i politikës amerikane, James Logan Jones Jr, themeluesi i kompanisë “Jones International” me të cilën qeveria shqiptare firmosi sot marrëveshjen për mbrojtjen kibernetike, tha se suksesi që do të arrihet në këtë drejtim do të jetë transformues. Ai tha se kjo marrëveshje do të sjellë shkallë të lartë sigurie, si dhe do të hapë vende të reja pune.
/Priza.al/