Simbol i mafias/ Historia e jetës së mbretit të alkool-it, Al Kapone

Alfons Gabriel Kapone i cili njihet si Al Kapone, do të mbahet mend për thënien e famshme përpara gjykatësve: “Ju jeni klientët e mi”. Filmat me gangsterë kopjuan pikërisht atë, gjatë periudhës së ndalimit të alkool-it në Shtetet e Bashkuara, mes viteve 1920 – 1931. Prandaj ai u konsiderua si një gangster i famshëm edhe për faktin se u përjetësua në shumë në filma të Hollywood-it.

Al Kapone u lind në Brooklyn, New York nga prindër emigrantë italianë, që kishin mbërritur nga rrethinat e Napolit. U përfshi në veprime kriminale që në moshë të re. U përjashtua nga shkolla kur ishte 14 vjeç. Arsyeja e ndëshkimit ishte rrahja e mësuesit në klasë. Në moshën 16-vjeçare, kishte mbi shpinë akuza të tilla si rrahje, grabitje dhe vjedhje. Më pas zhvendoset në Çikago. Në të 20-tat e tij nisi të përfitonte nga kontrabanda e pijeve alkoolike.

Pavarësisht kësaj, Kapone u bë figurë e dashur publike. Dhuratat që ai shpërndante për kisha, shkolla, jetimore e organizata bamirëse, duke përdorur paratë e fituara nga veprimtaritë e paligjshme, bënë që ai të shihej nga shumë njerëz me adhurim.

Rreth orës 10:30 në ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 1929, shtatë anëtarë të bandës së Bugs Moran u qëlluan me gjakftohtësi në një garazh në Çikago. Masakra, e organizuar nga Al Kapone, tronditi kombin me brutalitetin e saj. Masakra e Ditës së Shenjtë të Shën Valentinit mbetet vrasja më famëkeqe e gangsterëve të asaj epoke. Masakra jo vetëm e bëri Al Capone një njeri të famshëm kombëtar.

Megjithatë, nuk ishin vrasjet që e çuan atë në burg, por refuzimi për të paguar taksat. Al Kapone ishte shprehur se meqenëse paratë i kishte fituar në rrugë të paligjshme, atij nuk i takonte të paguante taksa që ishin për të adhurat e ligjshme. Por gjykatësi kishte tjetër mendim.

Historia e jetës së tij

Janari ishte muaji i tij. U lind në janar, është liruar nga burgu në janar dhe ka vdekur po në muajin janar. Pseudonimi i tij ishte “Scarface”. Këtë nofkë (të cilën e urrente), e mori pasi ishte plagosur në fytyrë nga vëllai i një vajze që ngacmoi. E filloi aktivitetin e tij kriminal me kontrabandën e alkool-it, por më pas u mor me kumar dhe prostitucion. Në vitin 1918, Kapone njohu një vajzë të quajtur Meri. Në 4 dhjetor të 1918, lindi djali tyre, Albert “Sonny” Francis. Kapone dhe Meri u martuan në 30 dhjetor të po këtij.

Al Kapone fitonte në javë 100 mijë dollarë. Por, jo vetëm kaq. Një vilë klas, një makinë e blinduar që peshonte 7 ton, një shpurë truprojash, por mbi të gjitha drejtues i tregut të uiskit në të gjithë Çikagon, e bëri atë padiskutim më të famshmin dhe më të pasurin.

Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë amerikane, gangsteri më i njohur i viteve ’20 të shekullit XX, kishte nën kontrollin e tij monopolin e tregtisë së birrës dhe të uiskit.

 Arresimet 

Është arrestuar dy herë dhe në dosjen e tij penale ka një seri akuzash. Kontrabandë pijesh, mospagim taksash, vrasje dhe vrasje me pagesë. Gjithashtu një tjetër vepër penale që është akuzuar Kapone ka të bëjë me masakrën e Shën Valentinit.

Al Kapone u arrestuar për herë të parë në 1926 për vrasjen e tre personave. Por kaloi vetëm një natë në qeli sepse nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar vrasjet. Ai u fut përsëri në burg në maj të vitit 1929. Qëndroi në qeli vetëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe më pas u la i lirë.

Në vitin 1930, në kulmin e fuqisë së tij, Kapone u shtua në listën e 28 kriminelëve më të këqinj të Çikagos dhe u quajt “armiku publik numër 1” i qytetit. Ndërkohë që FBI e shënoi në listën e saj mes 25 emrave më të inkriminuar në SHBA.

Al Kapone u riarrestuar në 3 maj 1932 dhe u dërguar në Atlanta, në një burg federal për të kryer aty 10 vitet e dënimit. Qeveria e identifikon Kapone për mospagim të taksave të të ardhurave. Ai asnjëherë nuk i pagoi ato, duke u akuzuar më pas për evazion fiskal. Qeveria e akuzoi se i detyrohej 215,080.48 dollarë.

Padia e tretë, e akuzon Kaponen për dhunimin e ligjeve në bashkëpunim. Megjithatë ai kishte besim se do të favorizohej në dënimin që do të jepej për të. Juria e deklaroi Kaponen të pa fajshëm në 18 akuza nga 23 që ai mbante mbi supe. Gjyqtari Wilkerson e dënoi atë në total me 10 vite burg. Nga këto ai bëri vetëm 2 vjet burg, duke zbritur 1200 ditë për sjellje të mirë. Gjoba e paguar nga Al Kapone e dhënë nga trupi gjykues është 37.617 dollarë e 51 cent.

Edhe në burg Kapone mori kontrollin, duke përfituar privilegje speciale nga autoritete. U vendos në një qeli të veçantë të shtruar me qilim dhe të mobiluar mirë ku nuk mungonte as makina e shkrimit si dhe Enciklopedia Britanike pas së cilës ishte i fiksuar. U lirua në 6 janar të viti 1939. Pas lirimit kaloi një kohë të shkurtër në spital e më pas u kthye në shtëpinë e tij në Palm Island ku kaloi i qetë pjesën tjetër të jetës.

Vdekja e tij

Al Kapone ishte diagnostikuar me sëmundjen e sifilizit që në burgun e Alkatrazit. Sistemi nervor nisi t’i degradonte me shpejtësi, ndaj kurrë nuk u kthye në jetën publike, pasi ishte i paaftë të merrej me veprimtari. Një vit para se të vdiste hoqi dorë nga biznesi. Gjithçka ia la bandës së tij, por edhe familjes. Në vitin 1946, mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora konkluduan se Al Kapone kishte mentalitetin e një fëmije 12-vjeçar dhe kjo vetëm nga dëmtimi i trurit.

Në 25 janar të vitit 1947 Kapone ndërroi jetë nga një infarkt. Ishte vetëm 48 vjeç. Në varrimin e tij morën pjesë 10 mijë veta. Arkivoli prej bronzi kushtoi 2 mijë dollarë. Disa mijëra dollarë u shpenzuar për lulet që u vendosën në varrin e tij. Për në banesën e fundit ishte i veshur me një kostum ngjyrë blu (tipik të gansterëve), një këmishë të bardhë, kollare të zezë, çorape të zeza dhe një palë këpucë klasike të bardha. Fillimisht u varros në varrezat e Mount Olivet në jug të Çikagos, mes varreve të babait të tij Gabriele, dhe vëllait, Frank, por në mars të 1950, eshtrat e të treve u lëvizën për tu varrosur në varrezat e Mount Carmel. Në varrin e tij shkruhet: “Mëshirë Jezusi im!”.

Kuriozitete

Jeta, bëmat, krimet dhe dënimet e Al Kapones ndodhen në arkivat FBI, ku dosja mbi gangsterin e njohur përmban 2397 faqe. Ndërsa agjenti Frank Wilson, për vite me radhë ka qenë pas tij duke i hetuar llogaritë bankare.

Përveçse është cilësuar si një nga gangsterët më të mëdhenj të Amerikës, ai kishte edhe idhuj në muzikë. Përveç anës së dhunshme Kapone tregoi se ishte fans i një grupi xhazi të quajtur “New Orleans”.

Sa i përket anës artistike Al Kapone rishfaqet sërish, por këtë herë në ekranet e kinemave. Për të janë xhiruar disa filma. Ata kanë subjekt: “Masakra e Shën Valentinit”, xhiruar në 1967, “Kapone”, në 1975, dhe “Të paprekshmit”, ku rolin e tij e interpreton Robert De Niro, prodhuar në vitin 1987.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *