Një tjetër grup prej 4 grash dhe 9 fëmijësh shqiptarë që ende strehoheshin në kampin “Al-Hol” në Siri, do të riatdhesohen në Shqipëri. Të gjithë janë familjarë të luftëtarëve shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike, që luftonin në Siri dhe Irak. Ata janë nxjerrë nga kampi dhe autoritetet siriane i kanë dorëzuar te një përfaqësi e kryesuar nga drejtori i Antiterrorit në policinë shqiptare Alban Dautaj.
Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë sirian Abdulkarim Omar, i cili ka postuar në rrjetet sociale dhe një foto të nënshkrimit të dokumentit të dorëzimit me përfaqësuesit nga Shqipëria.
Ky është grupi i katërt i shqiptarëve që nxirren nga kampi i “Al Hol”-it, duke e çuar në 38 numrin e shqiptarëve të riatdhesuar, ndërsa mendohet se ka ende të tjerë që ndodhen atje. Më 31 korrik të vitit të shkuar, u nxorrën nga kampi 5 gra dhe 14 fëmijë, falë ndërhyrjes së autoriteteve libaneze. Në atë rast, kryeministri Edi Rama dhe ministri I Brendhëm Bledi Çuçi shkuan vetë në Bejrut për të pritur gratë dhe fëmijët shqiptarë, me të cilët udhëtuan më pas së bashku drejt Tiranës, një ditë më pas./VOA