Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur shqetësimin mbi ngarkesën që gjyqtarët në vend po përballen sa i takon dosjeve. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2021 numri i çështjeve të regjistruara është rreth 21.8% më i lartë se në vitin 2020.
“Pjesa më e madhe e gjykatave kanë funksionuar me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve, nën 70%, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 62.4% e organikës së gjyqtarëve kanë qenë efektivisht në detyrë gjatë vitit 2021.
Ngarkesa e punës në gjykata është përballuar nga vetëm 224 gjyqtarë ose 7.91 gjyqtarë për 100.00 banorë. Ky raport është më pak se 40% e normës evropiane. Gjykatat kanë bërë përpjekje për të ruajtur ritmin e zgjidhjes së çështjeve dhe për të mbajtur nën kontroll rritjen e stokut, pavarësisht uljes së numrit të gjyqtarëve efektivë dhe efekteve të pandemisë Covid-19. Rendimenti mesatar i punës për gjyqtar në rang vendi, gjatë vitit 2021, ka qenë mesatarisht pothuajse 536 çështje për gjyqtar, që shënon një rritje me 165 (371.3 në 2020) çështje më tepër krahasuar me një vit më pare” thuhet në dokument.
Raporti i KLGJ sqaron se për herë të parë në hartimin e planit strategjik 2022-2024 është përfshirë në bisedime edhe komuniteti i biznesit për të bërë rekomandimet e tij në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe investimeve.
“Krahas konsultimit me aktorët e sistemit të drejtësisë, gjykatat, Ministrinë e Drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, për herë të parë, Plani Strategjik është diskutuar me përfaqësues të komunitetit të biznesit. Për këtë qëllim, janë zhvilluar disa takime konsultative me përfaqësues të sektorit privat, si një ndër aktorët më vital në përdorimin e shërbimeve gjyqësore, të cilët kanë propozuar rekomandime konkrete lidhur me mënyrën sesi procedurat gjyqësore mund të thjeshtëzohen” thuhet në raportin vjetor të KLGJ.
I njëjti saktëson se nga ky proces gjithëpërfshirës konsultimi publik janë adresuar pothuajse 25 rekomandime konkrete, nga të cilat Këshilli ka marrë në konsideratë pothuajse 30% të tyre, të cilat tashmë gjejnë reflektim të plotë në Planin Strategjik të Këshillit për sistemin gjyqësor./Monitor