Sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër! SHBA përgatitet t’i dërgojë Kievit armët Patriot

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të dërgojnë sisteme të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, që do të përbënin sistemin më të avancuar të raketave tokë-ajër që Perëndimi i ka ofruar deri tani Kievit.

Sipas tre zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti, shpallja e vendimit mund të bëhet të enjten.

Zyrtarët e Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht planet për të dërguar sisteme raketore Patriotët në Ukrainë. Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral brigade Pat Ryder tha se kjo është pjesë e praktikës së punës për të mos spekuluar mbi çështje që lidhen me ndihmën mbi sigurinë. Por ai shtoi se Uashingtoni dhe aleatët do të shohin spektrin e plotë të kapaciteteve mbrojtëse që kanë në dispozicion, në funksion të përmbushjes së nevojave për Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me partnerët tanë ukrainas se si t’i integrojnë më mirë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore. Ndërkohë, ne e kuptojmë se me kërcënimin ajror që Rusia paraqet ndaj Ukrainës, mbrojtja ajrore vazhdon të jetë një temë prioritare diskutimi kur bëhet fjalë për ndihmën mbi sigurinë. Ndaj do të vazhdojmë të gjejmë mënyrat më të mira për të mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbrojtur popullatën dhe infrastrukturën e saj”, tha zoti Ryder.

Në një reagim zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se nëse Shtetet e Bashkuara dërgojnë sisteme Patriot për Kievin, ato do të ishin një objektiv legjitim për sulmet ruse kundër Ukrainës.

Të hënën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve perëndimorë që të siguronin armë më të avancuara për të ndihmuar vendin e tij në luftën kundër Moskës. Ai tha se me këto sulme Rusia po provokon një katastrofë humanitare dhe migratore jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë Bashkimin Evropian.

Nëse Uashingtoni vendos pro dërgimit të sistemeve Patriot në Ukrainë, ato do të ishte sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi i ka ofruar deri tani këtij vendi për ta ndihmuar në përpjekjet për të zmbrapsur sulmet ajrore ruse.

Kjo çështje kanë qenë në shqyrtim prej disa kohësh, por zyrtarët thanë se me afrimin e dimrit dhe përshkallëzimin e bombardimeve ruse ndaj infrastrukturës civile, shqyrtimi i saj ka marrë prioritet.

Zyrtarët amerikanë kishin hezituar t’i ofronin këtë lloj sistemi Ukrainës, pasi sipas tyre një gjë e tillë mund të shihej nga Moska si një përshkallëzim i konfliktit e për pasojë ajo të kundërpërgjigjej.

Këto lloj sistemesh gjithashtu kërkojnë përgatitje të lartë dhe në mesin e ekspertëve ushtarakë kishte shqetësime se për përdorimin e tyre do të kërkoheshin trupa amerikane.

I pyetur mbi këtë çështje, Ryder tha se në përgjithësi Uashingtoni i merr në konsideratë këto nevoja kur ofron sisteme të ndërlikuara armësh për Ukrainën, sikurse në rastin e Sistemeve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, të njohura si HIMARS. Aktualisht, forcat amerikane po stërvisin trupat ukrainase për një numër sistemesh, në vende të tjera evropiane, si Gjermania.

o.j/dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *