Ditët e fundit në vendin tonë është vënë re një prani e shtuar e viruseve të gripit stinor. Mjekët kanë bërë thirrje për më shumë kujdes, sidomos ndaj grup moshave të rrezikuara. Në një intervistë për Priza.al, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka treguar se komplikacionet që vijnë nga viruset e gripit stinor mund të jenë edhe të rënda.
Pipero u shpreh se qytetarët duhet të paraqiten pranë mjekut në rastet kur shqetësimet e gripit, si temperatura e lartë, teshtimat, kolla, apo dhimbjet e kokës dhe trupit, vazhdojnë për më shumë se 3 ose 4 ditë. Ai tregoi se në Spitalin Infektiv në QSUT, nuk ka patur raste të shtuara me komplikacione madhore të gripit. Por burime për priza.al sqaruan se në Qendrat Shëndetësore ka pasur një fluks të shtuar pacientësh.
Sa i takon medikamenteve si antibiotikët, Pipero sqaroi se përdorimi i tyre pa kriter sjell rezistencën e viruseve duke e bërë të vështirë kurimin e tyre, kur të jetë vërtetë e nevojshme.
Mjeku bën thirrje që personat me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese duhet të tregojnë kujdes ndaj virozëve.
Intervista e plotë:
Si paraqitet situata e gripit në vend dhe cilat janë llojet e tij që po qarkullojnë për momentin?
Situata e infeksioneve të sipërme respiratore të cilat përgjithësisht shkaktohen nga viruset, qofshin ato të influencës/gripit stinor, qofshin të Covid-19 apo viruse të tjerë përgjithësisht paraqitet e “qetë” me një trend me rritje të lehtë në raport me javët e fundit të vitit të kaluar. Sipas informacioneve të mara nga ISHP mbështetur në survejancën e infeksioneve të rrugëve të sipërme dhe poshtme respiratore rezulton se aktualisht kemi qarkullimi të shtuar të viruseve të gripit stinor, tipet AH1 pandemik (pandemia e gripit avian 2009) dhe AH3.
Cilat janë grup moshat më të rrezikuara dhe si mund të mbrohen ato?
Grup moshat më të prekura aktualisht rezultojnë moshat 5-14 vjeç, 35-44 vjeç dhe 75+. Fashat më të rrezikuara të popullsisë janë kryesisht fëmijët e vegjël 1-6 vjeç, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç, të sëmuret kronikë, veçanërisht të sëmurët me sëmundje kronike të mushkërive, të sëmurët me sëmundje kronike të zemrës, të sëmurët me diabet, personat që trajtohen me kemioterapi.
Mbrojtja më e mirë natyrisht është vaksinimi, është kjo arsyeja që ne jo vetëm e këshillojmë, por për këto grupe të popullsisë e rekomandojmë me “forcë” vaksinimin ndaj gripit. Krahas vaksinimit, këshillat për higjenë personale, mjedise të ajrosura, evitimi i pranisë së panevojshme në mjedise të mbyllura dhe të mbipopulluara, etj, asnjëherë nuk janë të tepërta, përkundrazi janë të rëndësishme.
Çfarë medikamentesh duhet të përdoren për të kuruar infeksionet gripale në kushte shtëpie? Sipas jush, kur duhet të drejtohen qytetarët tek mjeku?
Për gripin, si një sëmundje me origjinë virale, përgjithësisht alternativat e trajtimit në kushte shtëpia janë të thjeshta, ndërkohë qe ka edhe medikamente antivirale efektive, siç është “Oseltamiviri” i njohur në tregun tonë me emrin “Tamiflu”, që natyrisht duhet përdorur me rekomandimin e mjekut.
Në kushte shtëpie rekomandohen antipiretikët me bazë paracetamolin ose ibuprofen nëse temperaturat janë mbi 38-38.5 gradë celsius, uji është “ilaçi” më i mire, çajrat e ndryshëm, lëngjet e frutave, etj, krahas ajrimit të dhomës. Gripi është një sëmundje që dikur populli e quante “e shkuar” diçka që do e kalojmë, që zakonisht zgjat 3-4 ditë, me temperaturë që ndonjëherë mund të shkojë edhe 39 gradë apo më shumë, teshtima, shpesh edhe kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dobësi trupore etj, por qe shpesh mund të ketë edhe shqetësime gastro-intestinale si të përzjera, dhimbje barku apo dhe diare.
Qytetarët duhet të drejtohen te mjeku nëse këto shqetësime zgjasin mbi 3-4 ditë dhe sidomos kur mbas 3-4 ditëve kemi ri-ngritje të temperaturës, çka përgjithësisht dëshmon një komplikacion të gripit dhe për të cilin doemos duhet ndihma e mjekut për ta trajtuar.
Çfarë është e rëndësishme të dimë rreth përdorimit të antibiotikëve pa konsultën e mjekut?
Pa rekomandimin e mjekut antibiotikët nuk duhet t’i përdorim asnjëherë, arsyet janë të shumta natyrisht, por në radhë të parë duhet të dimë që gripi dhe sëmundjet me origjinë virale nuk mjekohen me antibiotikë, komplikacionet e shkaktuara nga mbivendosja e agjenteve bakterore PO, së dyti përdorimi pa kriter i antibiotikëve shkakton rritjen e rezistencës së mikrobeve ndaj antibiotikëve duke na pamundësuar mjekimin e tyre kur është e domosdoshme. Natyrisht ka dhe arsye të tjera që kanë më pak interes për publikun por jo për ne, mjekët, farmacistët, institucionet shëndetësore dhe ekonominë e një vendi. SHBA dhe shumë vende të tjerë, rezistencën e shtuar të mikrobeve ndaj antibiotikëve e kanë konsideruar si “Kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Çfarë komplikacionesh dominojnë për momentin në spitale dhe si paraqitet situata atje?
Aktualisht situata në spitalin e sëmundjeve infektive është e qetë dhe së paku deri dje nuk kemi patur raste me komplikacione madhore të gripit të shtruara. Ndërkohë dua të nënvizoj se komplikacionet e gripit ndonëse jo shumë të shpeshta, janë relativisht të rënda sikundër është encefaliti, miokarditi, pneumonitë, etj.
Si është virulenca e llojeve të gripit në qarkullim?
Përgjithësisht kur flasim për virulence ne klinicistët i referohemi komplikacioneve të gripit, të cilat nuk varen vetëm nga virulenca e viruseve qarkulluese por edhe sistemi imunitar i pacientit, sëmundjet kronike, vaksinimi, etj. Aktualisht situata konsiderohet e qetë./Priza.al
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*