Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri ka thënë se problemi i Enkelejd Alibeajt është raporti i tij me Lulzim Bashën.
Në studion e “Zonë e Lirë” në Tv Klan, i pyetur nga Arian Çani se me këtë a nënkupton se Alibeaj po bën lojën e Bashës, Xhaferi e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se deklarata e tij lidhet me faktin se Alibeajt i mungon dalja në terren.
Arian Çani: Cili është raporti yt me Enkelejd Alibeaj, i cili duam apo nuk duam ne, vazhdon akoma deri pa folur Apeli të konsiderohet si kryetari i komanduar i partisë dhe kryetari i grupit parlamentar. Ti me Enkelejdin i ke mirë muhabetet apo nuk e do as Enkelejdin?
Ferdinand Xhaferri: Raporti im me Enkelejdin është shumë korrekt. Në mënyrë të padiskutueshme është kryetar i grupit parlamentar dhe kryetar i komanduar i partisë, por problem është raporti i Enkelejdit me Z. Basha.
Arian Çani: Çfarë do të thotë?
Ferdinand Xhaferri: Nëse deri tani, ne kishim prodhuar shumë argumente që Z. Berisha nuk e kishte lënë Z. Basha të sillet si kryetar i partisë, nuk duhet të përsëritet e njëjta histori.
Arian Çani: Ti thua se po bën lojën e Bashës?
Ferdinand Xhaferri: Alibeaj përveç përfaqësimit në seli, duhet të dalë të përfaqësojë dhe në territor, sikurse Z. Basha duhet të sillet si një deputet i Partisë Demokratike. Unë thashë se deri më tani, Enkelejd Alibeaj është në provë për t’u sjellë si kryetar i grupit parlamentar dhe kryetar i partisë.
Arian Çani: Pra, po thua se po bën lojën e Bashës?
Ferdinand Xhaferri: Jo, i ka munguar dalja në terren./tvklan.al