Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje kontrollorëve që të vijojnë punën, duke thënë se kjo cenon seriozisht sigurinë kombëtare, por edhe si një vend anëtar i NATO-së.
Në një dalje për mediat nga Vlora, kreu i Shtetit, foli edhe për takimin që ai ka pasur më herët me kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin e Rinasit, duke thënë se i gjithë takimi ka qenë transparent për publik, e që sipas tij kjo situatë ka ardhur si pasojë e një “lënie nervash nga të dyja palët”.
Nisur nga kjo, Meta thotë se e gjitha zgjidhet me anë të dialogut.
“Cenon seriozisht jo vetëm detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve vendas dhe të huaj, jo vetëm sigurinë kombëtare por dhe sigurinë ndërkombëtarë, jemi vend anëtarë i NATO-s kemi detyrimet tona, është një mesazh shumë i gabuar dhe një lënie nervash nga të dyja palët. Prej më shumë se 10 muajsh shoqata e kontrollorëve ka ngritur shqetësimet saj, ndaj institucioneve tona por edhe atyre europiane ku ne kemi detyrimet tonë dhe janë mjaft të vëmendshëm ndaj hapësirës sonë që është edhe e NATOS. Unë kam pasur me ta një dialog më 31 mars dhe një takim që është bërë publik dhe ka një qëndrim të qartë për presidentin e dhe për publikun. Ata më thanë se të drejtat e tyre ishin cenuar dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhë të pacaktuar. U kam thënë kontrollorëve që të vijonin të ushtronin detyrën e tyre pa asnjë ndërprerje pasi kjo është një çështje jetike dhe madhore për sigurinë kombëtare por dhe detyrim madhor si anëtar i NATO. Në çdo kohë duhet të kontrollohet cilësia e punës dhe duhet të vijojnë punën pavarësisht cenimit të të drejtave, pasi do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe se ishte detyrim i tyre të vijojnë punë dhe jo për hatër të qeverisë apo meje. U kam kërkuar që qeveria dhe institucionet përgjegjëse të japin zgjidhje përmes dialogut”, tha Meta.