Dy efektivët të cilët u filmuan në Ksamil duke demonstruar sjellje jo etike me një turist të dehur janë pezulluar nga detyra.
Burime bëjnë me dije se ky pezullim i dy inspektorëve E. M. dhe D. B., vjen si pasojë pasi këta të fundit kanë shkelur Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë.
Njoftimi i policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Pas publikimit në rrjete sociale, të një videoje në të cilën shfaqen 2 punonjës policie, të cilët gjatë kohës që komunikonin me një turist të huaj (në gjendje të dehur), në Ksamil, kanë shkelur Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, janë marrë menjëherë masat përkatëse.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka pezulluar nga detyra inspektor E. M. dhe inspektor D. B., me detyrë punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjësit e Policisë.