Përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për të thithur maturantët drejt degëve universitare që rrezikojnë të mbyllen, duket të jenë pa sukses.
Edhe pse në qershor qeveria shpalli 35 programe studimi në fushën e bujqësisë, turizmit, shkencave sociale dhe shkencore si degë me prioritet kombëtar, të rinjtë më të mirë nuk e vlerësojnë prioritet për të ardhmen e tyre, duke ngritur pikëpyetje për tregun e punës. Ndonëse maturantët me mesatare mbi 8.5 që do të zgjedhin një nga këto degë prioritare do të përjashtohen nga tarifa e studimit dhe do të mbështeten financiarisht me një pagesë mujore në vlerën e pagës minimale, bazuar në të dhënat e aplikimeve, kjo nismë, nuk ka zgjuar shumë interesin e tyre. Sipas drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë vendimi ishte i vonuar, ndaj dhe nuk ka dhënë ndikim.
Zv rektori Universitetit Bujqësor Ilir Kapaj, shpreson se deri në fund të regjistrimeve do të zihen 60-65% e kuotave, por deri më tani shifrat janë pesimiste.
‘Nga 35 degë prioritare, pjesa më e madhe janë te Universiteti Bujqësor, 15 e tyre. Ne kemi 10 mijë aplikime, numër i cili është thuajse i njëjtë me një vit më parë, madje me një rënie të ulët sikundër ka ndodhur në të gjitha universitetet pasi ka rënë numri i studentëve’.
Nga 31 mijë maturantë, 1/3 e tyre kanë aplikuar për studime jashtë Shqipërisë, që ka sjell si rrjedhojë rënien e numrit të kandidatëve për student në vendin e tyre, ku vetëm 21 mijë prej tyre kanë aplikuar në universitetet shqiptare.
Edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, që shihet me prioritet Kombëtar nga Ministria e Arsimit, e ndjen rrezikun e boshatisjes së auditoreve , ku vit pas viti numri i studentëve bie ndjeshëm. Top Channel mëson se në degën e matematikës nga 458 aplikime që kishte gjatë vitit të shkuar akademik, këtë vit ka 364 aplikime, rreth 100 aplikime më pak. Ndërsa Biologjia ka një rënie me 317 aplikime krahasuar me vjet, nga 1203 në 886. Si dhe dega e kimisë për vitin e ri akademik 2022-2023 ka 165 aplikime nga 207 që numëroheshin një vit më parë.
Teksa numri i studentëve pritet të jetë edhe më i ulët pasi maturantët kanë aplikuar për 10 programe studimi, e duhet të zgjedhin mes atyre që fitojnë, vetëm një prej tyre . Përballë këtij fenomeni, Ministria e Arsimit ka vendosur që të lehtësojë kushtet për t’u pranuar si student duke hapur dyert e universiteve për të gjithë nxënësit që nuk arrijnë dot të kapin degën e përzgjedhur brenda 3 raundeve të regjistrimit, me shtimin e një raundi të katërt ku në bazë të kuotave të paplotësuara që kanë universitetet maturantët mund të regjistrohen pa garë ku të duan./TCh