Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka dekretuar ndryshimin e emrit të Bashkisë Ura Vajgurore në Dimal. Ai ka dekretuar ndryshimin ditën e sotme me shpallje ligjin nr. 34/2021 “Për ndryshimin e emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore nga “Bashkia Ura Vajgurore” në “Bashkia Dimal”.
‘Ndryshimi i emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore, “Bashkia Ura Vajgurore” në “Bashkia Dimal”, një emërtim i lashtë që i sjell identitet zonës, është një hap që vjen në përputhje me interesat ekonomikë e socialë, traditën, kulturën, lidhjet tradicionale dhe vlerat e tjera vendore, të kësaj bashkie”, shkruan Presidenca.
Njoftimi
D E K R E T
PËR SHPALLJE LIGJI
Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j: Shpalljen e ligjit nr. 34/2021 “Për ndryshimin e emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore nga “Bashkia Ura Vajgurore” në “Bashkia Dimal””.
Nr. Dekretit 12 067
Tiranë, më 01.04.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Propozimi për ndryshimin e emrit që erdhi nga disa intelektualë të zonës, zë fill tek qyteti antik i periudhës Ilire, rrënojat e së cilës u zbuluan në kodrën e qytetit.
“Zbulimi i qytetit Antik të Dimalit zgjoi idenë e për ta shndërruar emrin e Bashkisë së Urës Vajgurore në atë të Dimalit, me qëllim shndërrimin gradualisht në një destinacion turistik të kësaj qyteze”.