Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se ka pikëpyetje të mëdha në lidhje me kontratën dhe investitorin për Projektin e Portit të Durrësit.
E ftuar në News24, Tabaku theksoi se është fatkeqësi e madhe që nuk do të ketë një debat publik në lidhje me këtë çështje duke shtuar se bëhet fjalë për një nga Portet më të mëdha në vend, ndërsa qeveria ka dështuar të bëjë transparencë.
Sipas Tabakut, ky projekt lidhet me fatin e Durrësit, nëse ai do të jepet me koncesion, ashtu si Tirana apo do t’i sjellë vërtet vlerë qytetit.
“Është fatkeqësi që nuk kemi debat publik për këtë çështje, debati publik do i jepte mundësi opozitës të jepte fakte dhe argumente, qeverisë të tregonte kushtet e kontratës dhe qytetarëve për ta kuptuar atë.
Bëhet fjalë për Portin më të madh, për portin që ne jemi ofruar Maqedonisë dhe Kosovës për ta përdorur, bëhet fjalë për një pikë strategjike të Shqipërisë dhe për një investim në 30 vite. Çfarë do të ndodhë me Durrësin? Po jepet me koncesion për ndërtime të radhës, apo është me vërtet ky një projekt që do ti sjellë vlerë qytetit. Qeveria ka dështuar ta bëjë këtë transparencë. Megjithëse faktet publike janë gjithmonë e më kokë forta duke treguar se ka pikëpyetje të mëdhaja pas kontratës, negocimit dhe investitorit”, theksoi Tabaku.