Ndodhen në fshatin Panaja pjesë e njësisë administrative Qendër në Bashkinë e Vlorës. E njohur për kultivimin e rrushit por edhe te kulturave si ulliri, fermerët shprehen se po hasin vështirësi pasi sipas tyre mungon tregu.
Ndër vite fshataret ndihen jo të vlerësuar për atë çka fund sezoni i çdo prodhimi u jep. Ata vuajnë në këtë periudhë mungesën e tregut për ta shitur.
“Vreshtin e kemi mbjellë që kur filloi demokracia, kishim rrugën pa bërë autostradën e blinin. Rrushi do bjerë në shesh, kemi harxhuar sa kush e di bujqësinë e kupton. 10-15 vjet, kush e shiti e shiti . Qeveria nuk ve dorën te bujqësia, janë rritur kostot, ilaçin e vreshtit e merrnim 150 për pompë tani merre 3.500, po freza po zetori, 25 mije lekë freza, 50 mijë lekë zetori ku ti gjej me pensionin që marr. Kërkojmë qendra grumbullimi po edhe ata me 200 lekë e marrin skam interes më mirë shkule dhe u lamë, unë s’fitoj gjë, i vetmi burim ky është rrushi dhe ulliri.”
“Situata është problematike për të gjithë fshatarët sepse bëjmë prodhimin dhe nuk ka treg gjithçka mbetet stok , kanë filluar njerëzit me të prerë vreshtat me të prerë ullinjtë s’ka rrugëzgjidhje , të gjithë të rinjtë kanë ikur kanë mbetur nga dy pleq në çdo familje. Janë detyruar të gjithë njerëzit me sopatë, të njëjtin fat ka edhe ulliri. Mungesa e tregut, ilaçet e skaduara jemi në falimentim. Me ngritjen e naftës janë rritur të gjitha”- shprehen fermerët.
Për kryeplakun e fshatit mungojnë politikat mbështetëse për fermerët, gjë që i çon ata drejt falimentimit.
“Gjendja kjo është prodhimi është në arë nuk shitet, nuk tërhiqet ky do prishet i gjithë, por nuk është vetëm kjo parcelë kêshtu është gjithë fshati Panaja. Është problem i madh po nuk vuri dorë shteti ne jemi të falimentuar. Nuk shitet malli të dal unë ta shes në xhade duhen pika grumbullimi si është gjithë bota, jemi në 2022 ka kantina, pika grumbullimi. Fshatari punon, këtu është e keqja edhe te ilaçet janë të skaduara. Ne në fshat kemi rrushin dhe ullirin te dyja nuk i tregëtojmë dot “- tha ai.
I vetmi fshat në qarkun e Vlorës që ka krijuar modelin e sipërmarrjeve sociale , magazinimin e produktit dhe kontratat e shitjes së përbashkët është Xara në Bashkinë e Sarandës e njohur për kultivimin e mandarinave./euronews