Skandal/ Lojtarët e “Sopotit” dy muaj pa paga, hedhin short me ‘letra me vrimë’

Çuditë nuk kanë të sosur në vendin tonë, sidomos në sport ku niveli është amator dhe ekipet janë më shumë në formën e kooperativave sesa shoqërive aksionere siç duhet të jenë. Çudia e radhës vjen nga Librazhdi, ku ekipi i sportit në këtë qytet që militon në kategorinë e dytë ka dy muaj pa marrë pagat.

Lojtarët edhe pse e kanë mbyllur sezonin që në muajin prill, ende nuk kanë mbyllur llogaritë financiare me klubin. Lidhur me këtë problem një përfaqësi e lojtarëve librazhdas kanë kërkuar takim me administratorin e ekipit të “Sopotit”, Andri Çota, njëherazi nën kryetar i Bashkisë Librazhd. Në takim lojtarët kanë kërkuar pagat e prapambetura, por si përgjigje nga administratori kanë marrë justifikimin se buxheti është në limite dhe se aq para sa kanë mbetur mjaftojnë për të likujduar vetëm 5 lojtarë. Të zënë ngushtë dhe pa alternativë lojtarët kanë hedhur short letra me vrimë mes tyre për të përzgjedhur ata 5 lojtarë që do merrnin pagat.

Lojtarët, të cilët qëlluan me fat në këtë ‘garë’, ishin: Mateus Levendi, Ardian Kaloshi, Denis Mici, Antonio Ranxha dhe ndihmës trajneri Shkëlqim Hajdari. Më pas lojtarët janë takuar në një nga kafene të e qytetit me Çotën, ku kanë marrë dhe paratë. Lajmin e bën të ditur gazetari i sportit në qytetin e Librazhdit, Ledion Qoshku, i cili ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook, një foto të bisedës që lojtarët dhe administratori kanë zhvilluar në whats up.

Gazetari ngre dyshimin lidhur me buxhetin e sportit tek “Sopoti”, se është i manipuluar, pasi sipas raporteve financiare që buxheti i bashkisë Librazhd ka dhe dega e thesarit akordon çdo muaj, janë të bollshme për të mbuluar shpenzimet e pagave të lojtarëve. Në buxhetin e bashkisë, fondi për sportin tejkalon 120 milionë lekë (të vjetra) në vit, që lëvrohen sipas raporteve në degën e thesarit 10 milionë (të vjetra) çdo muaj. Ndërkohë që edhe pse janë kaq para në dispozicion për një ekip sporti që militon në kategorinë e dytë, sërish problemet financiare janë prezente dhe lojtarët detyrohen të bëjnë zgjedhje me ‘letra me vrimë’ se kush do të marrë pagat, e kush jo.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *