Në Itali ka dalë në dritë një skandal, i cili tregon sesi abuzohet me fondet e të varfërve, ku mijëra përfitues të këtij fondi janë pronarë të vilave, pronave dhe deri tek makina super luksoze “Ferrari”.
Sipas policisë italiane në mesin e atyre që besohet se përfitoi nga fondi shtetëror ishin edhe një bos i mafisë dhe një person që pretendoi se kishte më shumë fëmijë me qëllim të përfitimit të shumës më të madhe. Hollësitë u zbuluan gjatë një hetimi 6-mujor në rajonet jugore, Campania, Abruzzo, Puglia, Molise dhe Basilicata.
“Ka gjithçka nga pak në mesin e atyre që kanë marrë të ardhura në mënyrë jo të duhur në jug të Italisë”, tha policia. Kostoja që i është ngarkuar shtetit thuhet të jetë gati 20 milionë euro, shkruan The Guardian.
Hetimet identifikuan më shumë se 5.000 raste të personave që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, prej të cilëve 90 kishin të kaluar kriminale. Në mesin e tyre ishte një burrë 70-vjeçar që ka veturë “Ferrari” dhe disa prona.
Në qytezën Isernia, një përfituese e fondeve u zbulua se ishte pronare e një biznesi për vetura me qira me 27 automjete, ndërsa një person tjetër në Avigliano është menaxher i një shkolle të vallëzimit.
Të ashtuquajturat të ardhurat e qytetarëve fillimisht u paraqitën si politikë nga Lëvizja “Pesë Yjet” në vitin 2019. Aplikuesit duhet të dëshmonin se kanë të ardhura nën pragun e varfërisë – më pak se 780 euro në muaj. Shuma që mund të përfitohej sillej nga 780 euro për beqarët deri në 1.300 euro për familjet me dy fëmijë.
/Priza.al/