Skandal me `Gjirofarmën`/AKU bllokon produktet: Zbulohet bakteri i rrezikshëm nga jashtëqitja e kafshëve

AKU ka bllokuar të gjithë linjën e prodhimit të kosit dhe salcës së kosit të kompanisë së përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, “Gjirofarm”.

Njoftimi bëhet nga vetë AKU, e cila konfirmon se nga analizat e bëra në Institutitin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në produktet e kosit dhe salcës së kosit të kësaj kompania është konstatuar një Ngarkesë e Përgjithshme Mikrobike mbi normën e lejuar.

Mësohet se bëhet fjalë për “enterobakter”, i cili gjendet në traktin ushqimor të kafshëve dhe më pas shpërndahet përmes ujit në rastet kur kafsha pi ujë apo edhe jashtëqitjes së tyre.  ISUV dyshon se bakteri në fjalë ka mbërritur deri te prodhimet e kompanisë “Gjirofarm” përmes jashtëqitjes së kafshëve.

Sipas AKU-së, menjëherë pas konstatimit të këtij bakteri të rrezikshëm, është urdhëruar bllokimi i linjës së prodhimit të kosit dhe salcës së kosit si edhe është kërkuar nga kompania që të tërheqë nga tregu të gjithë prodhimin e kësaj linje.

Po ashtu, mësohet se është bllokuar edhe sasia e produktit të gjendur brenda fabrikës pasi dyshohet se po ashtu është e kontaminuar me këtë bakter.

Çfarë është “enterobakteri” dhe sëmundjet që shkakton

Enterobakteret kanë si habitatin e tyre natyror sistemin tretës të kafshëve, kryesisht zorrët. Prandaj edhe kanë marrë emrin “entero-zorrë” nga greqishtja e lashtë.

Ata janë të kudondodhur në natyrë; prania e tyre në zorrët e kafshëve bën që të ketë një shpërndarje të tyre të gjerë në tokë, ujë dhe ujërat e zeza. Ato gjenden gjithashtu në bimë.

Tek njerëzit, specie të shumta Enterobakteri njihen si organizma që shkaktojnë sëmundje të ndryshme, duke përfshirë infeksionet e syve dhe lëkurës, meningjitin, baktereminë (infeksion bakterial të gjakut), pneumoni dhe infeksione të traktit urinar.

Njoftimi i AKU-së

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT

NJOFTIM PËR KONSUMATORËT

Tiranë, më 12.01.2022

TËRHEQJE NGA TREGU E PRODUKTEVE TË PASIGURTA

AKU njofton konsumatorët se produktet e operatorit të biznesit ushqimor me inicialin “Gj”, pas analizave të vetëkontrollit, u kostatuan me vlerë mbi normën e lejuar të Ngarkesës së Përgjithshme Mikrobike (NPM) enterobakter.

Menjëherë me marrjen e këtij njoftimi nga ISUV, AKU ka reaguar për ndjekjen e rastit dhe marrjen e masave në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi nga Drejtoria Rajonale e AKU-së, sipas gjurmueshmërisë së produktit dhe gjetjeve të kontrolleve zyrtare të kryera.

Subjekti është urdhëruar të tërheqë nga tregu produktet e rezultuara pozitive.

Është kryer bllokimi i linjës së prodhimit të produktit kos dhe salcë kosi, si dhe u vendos bllokimi i sasisë së produktit të gjetur prej të cilit u morën mostra për analizim për treguesit e NPM-së.

AKU pas kryerjes së inspektimit në magazinën e subjektit, ka marrë konform legjislacionit në fuqi masë administrative gjobë dhe masë urgjente të ndërprerjes së kryerjes së veprimtarisë.

Sigurojmë konsumatorët se AKU vijon inspektimin e subjektit edhe në produkte të tjera.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *