Në mungesë të shtetit, apo në bashkëpunim me institucionet mbikëqyrëse shtetërore, ku në lojë janë dhe ndahen miliona euro, institucionet e mikrofinancave në vend, janë bërë njësoj si skemat piramidale të vitit 1997.
“Priza.al” prej disa muajsh ka publikuar materiale ekskluzive mbi “Fondi Besa” dhe mbi gjithë aktivitetin e tij të mashtrimit dhe të abuzimit me të dhënat personale të individëve.
Por duket se te sistemi bankar në vend dhe sidomos tek sistemi mikrofinanciar, paska rënë “epidemia” e abuzimeve në kurriz të shqiptarëve dhe ajo e pastrimit të parave.
Tërë këto kohë “Priza.al” është marrë vetëm me klientët dhe viktimat e “Fondit Besa”, por nuk është vetëm ky institucion…
Në lojë njësoj si “Fondi Besa” po për të njëjtin qëllim “bërjen e parave”, është edhe “Iute Credit”, ku ashtu si në fondacionin e drejtuar nga Bajram Muçaj, edhe aty janë ndjekur po thuajse skema identike zhvatjeje kolateralesh, tjetërsimi dokumentesh personale, abuzimi me kredi të rreme dhe deri tek aktiviteti i pastrimit të parave në shuma të mëdha.
Por ndryshe nga rasti i “Fondit Besa” drejtuesit e të cilit deri tani kanë qenë të paprekur nga organet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese, për “Iute-n” kanë nisur prej kohësh hetimet nga prokuroria.
Hetimi për “Iute Credit”
“Priza.al” ka mësuar se Prokuroria e rrethit të Fierit, ka përfunduar hetimet për një shtetase e cila akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit në kredi” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” në 18 raste.
Bëhet fjalë për shtetasen Paula Buzi, punonjëse e institucionit financiar “Iute Credit”, e cila kishte mashtruar ish-klientët, duke përdorur të dhënat e tyre dhe falsifikonte dokumentet sikur ato kanë marrë kredi, por paratë i përfitonte vetë Buzi.
Në deklaratën e prokurorisë të cilën e kanë bërë publike tashmë disa portale, bëhet me dije se ish-klientë të kësaj dege, kanë kallëzuar se në emër të tyre, janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A”, Dega Fier, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.
Kjo lloj skeme, por jo me sekserë por nga vet punonjësit e degëve të “Iute”, është po e njëjta e denoncuar me prova dhe fakte nga “Priza.al” për “Fondin Besa”.
Edhe në rastin e “Iutes” si në rastin e “Besa-s”, klientët janë “peshkuar” apo mashtruar duke u tjetërsuar të dhënat (mërrë kryesisht në e-Albania), duke u bartur me kredi edhe pse të vogla, por që të cilat duhet t’i shlyejnë, pasi në të kundër pëërballen me përmbaruesit që të marrin edhe rrobat nga trupi.
“Priza.al” që e ka denoncuar e para këtë skemë të rrezikshme vjedhjeje dhe pastrimi parash, tashmë po konfirmon njëri pas tjetrit të gjitha provat që me guxim i publikuam të parët.
Deklarata e plotë e prokurorisë:
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimin penal dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier procedimin penal nr.1247 të vitit 2019 në ngarkim të së pandehurës Paula Buzi (Dimo), e akuzuar për kryerjen e veprave penale te “Mashtrimit në kredi” parashikuar nga neni 146 i K.Penal, e kryer 18 herë dhe “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga neni 186/3 i K.Penal, e kryer 18 herë në dëm të viktimës Shoqëria Iute Credit Albania. Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A”, Tiranë në lidhje me disa raste të mashtrimeve në kredi nga ish-punonjësja e degës Fier, Paula Buzi.
Në vijim janë regjistruar dhe disa kallëzime penale të disa qytetarëve, ish-klient të kësaj dege, që kanë kallëzuar se në emër të tyre janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A” Dega Fier, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.
Pasi të gjitha këto kallëzime penale janë bashkuar në një procedim të vetëm penal dhe janë hetuar nga Seksioni i Posaçëm pranë Prokurorisë Fier, në përfundim të hetimit është provuar se, e pandehura në cilësinë e punonjëses së dhënies së kredive pranë Filialit Iute Credit Dega Fier, ka falsifikuar dokumentet e dhënies së kredive në emër të klientëve të mëparshëm të këtij filiali me qëllim përvetësimin për llogari të saj të shumave të kredive.
Gjatë hetimit të hetimit të këtij procedimi penal, Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë kanë kryer mbi 35 (tridhjetë e pesë) akte ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi lidhur me verifikimin e të gjitha rasteve të kallëzuara.
Në përfundim, ka rezultuar se praktikat e marrjes së kredive nuk janë nënshkruar nga personat, në emër të të cilëve rezultojnë të nënshkruara, por janë falsifikuar nga e pandehura Paula Buzi duke përfituar dhe shumat përkatëse.
Nëpërmjet publikimit të këtij rasti kriminal, organi i prokurorisë sensibilizon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në polici dhe prokurori çdo rast abuzimi lidhur me përvetësimin e kredive në emër të tyre nga persona të tjerë dhe të mos bien preh e skemave mashtruese në marrjen e kredive.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016