Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tetovë, në spitalin e gjinekologjisë, atje ku pacientët duhet të marrin ndihmën e bluzave të bardha. Një nga mjekët ka xhiruar gratë në një nga sallat, madje i ka nxjerrë edhe live në rrjetin social në TikTok, duke bërë një “ndeshje” me një person tjetër.
“Doktori nga Tetova del live në sallën e gjinekologjisë dhe pa pikë turpi i shfaq trupin dhe fytyrat grave në gjendje tmerruese, ky duhet dënuar. Kjo nuk tolerohet,”-shkruhet në videon që kanë xhiruar ndjekësit. Ndërsa në video dëgjohen gratë që bërtasin nga dhimbjet.
Rasti ende nuk ishte denoncuar nga askush në Polici, por sipas mediave vendase, drejtori i repartit është nisur drejt Sektorit të Punëve të Brendshme për ta raportuar rastin dhe për të vendosur para drejtësisë fajtorin.
Pëllumb Vela tha se e dënon rastin dhe se pret që organet e rendit ta zgjidhin këtë çështje sa më shpejt.
“Si drejtor edhe për të paraqitur rastin dhe me organet e rendit do të zgjidhim këtë çështje, sa më shpejt të jetë e mundshme. Kjo ngjarje nuk është e kuptueshme për ne dhe e dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve,”- tha Vela.
Zbulimi i këtij skandali në spitalin e Tetovës vjen vetëm pak ditë pas tragjedisë së madhe në spitalin e Manastirit, ku një i porsalindur ndërroi jetë pak pas lindjes për shkak të paaftësisë dhe joprofesionalizmit të mjekëve.