Skandal në Elbasan me tarifën e ujit/ NUKE-ja u’a ‘ngjesh’ familjeve si të ishte ‘karburant avioni’. Qytetari: Më erdhi fatura 284 mijë lekë  

Në qytetin e Elbasanit qytetarë të disa lagjeve kanë dalë në protestë për mbifaturimin e ujit të pijshëm, pasi çmimet kanë kaluar çdo imagjinatë.

Faturat e ujit u kanë ardhur familjeve me shifra të kripura, duke bërë që banorët në lagjen “Shënkoll” në Elbasan, të hidhen në protestë.

Sipas tyre, janë bërë gabime në matjen e sasisë së ujit që kanë konsumuar gjatë muajit të fundit, çka ka sjellë dhe rritje të faturës. Ndërkohë, një prej protestuesve ka pohuar se fatura e ujit i ka shkuar në 284 mijë lekë të vjetra.

“Jemi mbledhur sot këtu pasi jemi një lagje e tërë që jemi diskriminuar dhe na ka ardhur një faturë uji jashtëzakonisht e rëndë. Unë po flas për veten. Ne lajmë dritat dhe ujin çdo muaj.

Në 24 nëntor unë do duhet të paguaja lekët për tetorin. Lashë librezën në dhe më tha zonja që paske një prapambetje shumë të madhe, 280 mijë lekë.

Erdhëm dhe pyetëm këtu, erdhi faturisti dhe më tha nuk jua kam bërë unë por jua ka bërë kjo.

Në vitin 2020 në gusht, më tha faturisti që paske një debit 80 mijë lekë. E pagova. Sot pas 1 viti më erdhi një faturë 284 mijë lekë”,- tha një prej banorëve.

Banorët kanë bërë thirrje që të rregullohet ky gabim nga ana e ndërmarrjes së Ujësjellësit, duke kërkuar që të kthehet fatura aforfe.

Lidhur me situatën ka reaguar Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Elbasanit. Kreu i këtij institucioni, Luan Dervishi, ka dhënë një sqarim lidhur me mbifaturimin e ujit të pijshëm, që ka ngritur në protestë disa banorë të qytetit.

Në një prononcim për mediat, ai bën me dije se, punonjësit e UKE-së, nuk i kanë lexuar sahatet siç duhet, ndaj ata janë pushuar nga puna dhe janë zëvendësuar me persona të tjerë.

“Në lidhje me situatën e krijuar ku disa banorë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Kemi kontaktuar me këta banorë. Ka ndodhur një fenomen i tillë ku disa punonjës të UKE-së, Elbasan, nuk kryer detyrat si duhet.

Faturat nuk kanë shkuar si duhet, faturat janë shkruar nga shtëpia. Ne si ndërmarrje kemi marrë masat që duhen, kemi vendosur punonjës të tjerë dhe këta janë larguar. Më pas e kanë çuar numrin që duhet në sahat.

Qytetarët janë të rregullt me faturat e tyre. Na vjen shumë zor kur ndodhin situata të tilla por për një punonjës nuk mund të penalizojmë dot të gjithë UKE-në.

Ne mundohemi t’i qëndrojmë qytetarëve t’i zgjidhim hallet dhe duam t’i takojmë një për një, të lidhim një kontratë, dhe ata që kanë fatura të akumuluara, t’i ndajmë me këste dhe t’i paguajmë”,- tha ai.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *