Kompania e çokollatave ‘Snickers’, në Spanjë ka tërhequr nga tregu një reklamë dhe ka kërkuar falje për çdo “keqkuptim që mund të jetë shkaktuar”, pasi filmimi 20-sekondësh u dënua gjerësisht si homofobik.
‘The Guardian’ shkruan se në këtë video ka marrë pjesë edhe një influencer spanjoll, Aless Gibaja, i cili i përket komunitetit LGBTQI, i cili urdhëron kamarierin që t’i sjellë një “lëng sexy portokalli”. Ndërsa shfaqet kjo skenë në një beach bar, një tjetër shok i tij që është në pritje për të dhënë porosinë shfaqet i habitur.
Kamarieri i përgjigjet duke i dhënë Gibajas një çokollatë Snickers dhe pas një kafshimi, Gibaja, transformohet në një djalë me zë të trashë dhe me mjekër. Më pas skena vijon: “Më mirë?”, e pyet shoku. “Më mirë”, i përgjigjet burri ndërsa shkruhet: “Ju nuk jeni vetvetja kur jeni të uritur.”
Reklama u kritikua shumë pasi filloi të qarkullojë në internet këtë javë, me disa që bënë thirrje për bojkot të markës. Federata Shtetërore e Lezbikeve, Gay dhe Biseksualëve ishte ndër ata që e dënuan atë, duke thënë përmes një deklarate se ishte “e turpshme dhe për të ardhur keq që ka kompani që vazhdojnë të përjetësojnë stereotipet dhe promovojnë homofobinë”.
El REPUGNANTE anuncio PLUMÓFOBO de Snickers. pic.twitter.com/bxtgMHh44e
— Gato (@gamomena) August 4, 2021
Ministrja spanjolle për barazinë, Irene Montero, gjithashtu reagoi. “Pyes veten se kush do të mendonte se ishte një ide e mirë të përdorte homofobinë si një strategji biznesi,” tha ajo në Twitter. “Shoqëria jonë është e larmishme dhe tolerante. Shpresojmë që ata që kanë fuqinë të vendosin se çfarë shohim dhe dëgjojmë në reklama dhe programe televizive do të mësojnë të jenë gjithashtu.”
Incidenti vjen javë pasi Spanja u trondit nga rrahja fatale e një të riu homoseksual në një sulm të dyshuar homofobik. Vrasja e 24-vjeçarit Samuel Luiz-e përshkruar nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, si një “akt i egër dhe i pamëshirshëm”-ndezi protesta mbarëkombëtare. Gjashtë persona, përfshirë dy të mitur, janë arrestuar deri më tani në lidhje me incidentin.
Të enjten, Snickers Spain tha se do të tërhiqte menjëherë shpalljen dhe kërkoi falje “për çdo keqkuptim” që mund të jetë shkaktuar nga fushata.
“Në këtë fushatë të veçantë ne donim të përcillnim në një mënyrë miqësore dhe zemërgjerë se uria mund të ndryshojë karakterin tuaj,” thuhej në një deklaratë të postuar në internet. “Në asnjë moment nuk ishte menduar të stigmatizohej ose ofendohej ndonjë person ose kolektiv.”
/Burimi: The Guardian/ përshtati në shqip Priza.al/