Një sherr me grushta dhe shkelma ka ndodhur në mjediset e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave më mesditën e sotme, ku sipas raportimeve në konflikt është përfshirë zv/Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Eldi Hoxha dhe Drejtori i Drejtorisë së Antikontrabandës Ilia Bili.
Mësohet se dy zyrtarët e lartë të doganave pasi kanë shkëmbyer fyerje mes njëri-tjetrit janë konfliktuar fizikisht.
Madje sipas raportimeve, përplasja fizike thuhet se ka qenë e fortë, pasi ato janë gjakosur.
Konflikti mund të precipitonte edhe më tej, nëse nuk do të ndërhyhej nga punonjësit e administratës, që kanë ndarë nga përleshja dy zyrtarët.
Mësohet se asnjë prej tyre nuk ka bërë denoncim, sikundër nuk dihet shkaku që i çoi në përplasje. Gjithsesi sipas raportimeve, për shkak edhe të konfrontimit të ashpër dhe përleshjes, duket se nuk kemi të bëjmë me një hatërmbetje, por me një prishje apo prekje interesash.