‘Skandalet e shumëfishta të drejtuesëve të RTSH-së ndër vite, deri tek abuzimet dhe arrestimi i Thoma Gëllçit’

Nga Alban Zere

Mbrëmjen e së premtes së 8 Tetorit bëri bujë të madh arrestimi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi. “Much ado about nothing”, arrestim të një personi dhe tre të tjerë të cilët ndoshta, ndoshta po them, as që e dinin se çfarë po firmosnin ose ishin të detyruar për të firmosur. Shumë zhurmë për një nga kanalet e parëndësishëm si “RTSH Argo”. Po për kanalet e tjera? Si menaxhohen? Çfarë teknologjie dhe infrastrukture duhet?

Ish-drejtor Thomai mund të ketë gabuar shumë herë, mund edhe të ketë vjedhur qëllimisht nga fondet e mëdha që ka në dispozicion RTSH. Përgjegjësinë e tij do ta hetojë, e me kismet do ta vërtetojë gjykata. Pra duhet kohë për të dalë në përfundime.

Ajo që duket e çuditshme është se si ka mundësi që zëvendësdrejtori i RTSH prej 2005 ose 2006, Martin Leka mbetet i paprekur në postin dhe “lavdinë” e tij?

E para, në Statusin e RTSH, të cilin e ndryshojnë sa herë të duan, nuk ekziston një post i tillë. Mesa duket qenka krijuar enkas për Martin Lekën. Mesa duket Martinit i paska bërë mirë druri që i dhanë në vitet ’90 sepse e paskan bërë hero dhe të paprekshëm, pavarësisht drejtorëve të ndryshëm apo ndryshimit të partive që vijnë në pushtet. “Ujku, ujku, po çakalli bën kërdinë”,- e më mirë se për Martinin nuk mund të përdorej kjo shprehje.

Nuk po dal në mbrojtje të Thoma Gëllçit. Ai, nëse i vërtetohet akuza, le të dënohet. Uroj që Drejtësia të funksionojë. Por dreqi ta hajë, meqënëse kemi dhe Reformën në Drejtësi, pse disa me syrin e nënës dhe të tjerë me syrin e njerkës???

Në mbi 15 vite që ka Martin Leka, si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm nuk paska asnjë mëkat? A e meriton atë post mbi të gjitha? Nuk kam asnjë iluzion se institucionet e tjera të shtetit janë më mirr se RTSH, por dreqi ta hajë diçka duhet bërë.

Zoti 20%, siç quhet Martin Leka në ambientet e RTSH, është një prej tyre që duhet të hapë krahun, Drejtues të tjerë, si Bledar Zaganjori (i cili prej shkollimit në SHBA, nuk ka punuar kurrë në terren) dhe përtej ”kulturës” së tij, nuk ia ka haberin gazetarisë së mirëfilltë. Të paktën kështu thonë gjithandej. Por Xakja, siç i flasin shkurt, as të kap dhe as të lëshon. E kanë vendosur njerëzit e Ramës dhe ai rri rehat e ndoshta edhe vegjeton. Një prej batutave në RTSH është se, “duhet të binte Covid-19 që të dilte ndonjëherë Xakja nga zyra”.

A mund të kujtoni ndonjë rast në RTSH që të jetë punësuar dikush nëpërmjet DAP, apo me konkurs? Vendet vakante i lënë pa i mbuluar me muaj e muaj, deri sa të dalë një mik i tyre për t’u punësuar ose për ta shitur. Kaq e thjeshtë! Ata që blejnë vendin e punës kanë kryer thjesht një transaksion dhe nuk kanë motivacion për të punuar apo për t’u zhvilluar profesionalisht.

Sigurisht që në RTSH ka njerëz për së mbari dhe profesionistë të shkëlqyer, por janë në pakicë. Këta profesionistë të mirë nuk përfshihen në asgjë veçse në punën e tyre por, nuk përfitojnë atë që u takon. Psh, rrogën e 13-të në fund të vitit. Këta profesionistë të aftë ndihen të margjinalizuar sepse pjesa e “luanit” i takon të përkëdhelurve të drejtorëve dhe veçanërisht bandës së Martinit.

Rastet e profesionistëve të aftë që përmenda më lart janë përjashtim. Dhe siç e dimë, përjashtimi është për të forcuar rregullin dhe jo për ta dobësuar. Ashtu sikurse dhe përjashtimi nga ligji shërben për ta forcuar ligjin, pavarësisht se në Shqipëri përjashtimet nga ligji janë kthyer në normalitet.

Në statusin e RTSH, thuhet se jo më shumë se 30% e projekteve realizohen me personel të jashtëm. Thonë se mbi 98% e projekteve në RTSH janë në duart e personelit të jashtëm. Askush nuk i pyet gazetarët për kronikat që kryejnë. Ata bëjnë gjërat e përgjithshme dhe sigurisht, mbi të gjitha qokat e tyre. Mjafton të shikosh disa “edicione lajmesh” dhe kuptohet derexheja se si është katandisur RTSH. Gabimet nisin që në titrat e kronikave të lajmeve.

E çfarë ka bërë gjithë këto vite Martin Leka përveçse ka humbur miliona nga taksat tona në kazino? E di se është e vështirë që të gjurmohen paratë e “pista”, POR DREQI TA HAJË JO E  PAMUNDUR. E nëse bëhet vetting për të gjitha paratë tona, paratë publike, duhet të hetohen dhe ata të cilët  mbase nuk hedhin firma në projekte me miliona euro, por kanë përfituar.

Është e vështirë të gjurmohet korrupsioni i Martinit dhe RTSH apo të ngjashmëve të tyre? Unë mendoj se jo. Shikoni kush bën emisione dhe merr projekte në RTSH. Shikoni ish-mis Elbasanin që nuk ka lënë vend të botës pa shuar duke shoqëruar kryeministrin Rama. Sepse ajo mbulon aktivitetin e kryeministrit. Sa kronika ka kryer? Sa keni parë ju në ekran? Si ka mundësi që dikush që ka nisur punë në 2013 në RTSH, me ato rroga anemike arrin të blejë apartament në Tiranë me kredi???!!! Përveç apartamentit blen dhe automjet të shtrenjtë. Mjafton një kontroll. Nuk ka asnjë formë të ligjshme për ta justifikuar. Auditi i brendshëm çfarë bën?

Askush nuk flet për 12 milionë lekë (të reja) për kryetari i tanishëm i bordit, Leka Bungo (gati 80 vjeç), ka marrë për të bërë një film me  aktorë kryesorë Arjola Demirin dhe Bujar Asqeriun. Aman, imagjino Bujar Asqeriun në rolin e një hamshori. Pika regjisorit thuaj.

Lexova një shkrim të Lufti Dervshit, një tip i qetë dhe i lëçitur edhe ky. Fliste për rëndësinë e RTSH dhe se e kemi inat se pse nuk marrim pjesë edhe të tjerë në projekte. Pra e paskemi inat. Sigurisht Lutfiu, i cili ka nga 1993 që punon me organizata joqeveritare dhe paguhet mjaft mirë, ka të drejtë të mbrojë mikun e tij Gëllçi dhe institucionin. Por a na thotë dot Lufiu se në çfarë infrastrukture punojnë teknikët e RTSH? Sa linja transmetimi ka për sportin, për RTSH 24, për RTSH 2 etj? Sa studio ka për secilin kanal? Na e thotë dot i nderuari Lutfi? Kam frikë se jo, se në RTSH lajmet regjistrohen shpesh herë sepse studiot duhet për transmetimet e emisioneve, siç është ai që sapo ka nisur, “Zëri i Popullit”.

Problemi është se RTSH është kalbur tërësisht dhe vetëm një mendësi e re e çliron ka kurthi ku ka rënë. Mund të rrija gjatë të listoja problemet, por mendoj se “katarsisi” fillon nga kreu. Martin Leka  e mban mirë me të gjithë, si majtas dhe djathtas. Ata që e kritikojnë, për të përfituar, për inate personale, apo thjesht se është i korruptuar dhe i paaftë (ky është rasti im), Martini i jep ndonjë projekt ose përpiqet t’u bëjë ndonjë nder për t’u mbyllur gojën.

Personalisht unë nuk kam asnjë interes për RTSH-së apo për Shqipërinë. Jam shumë larg për të ndikuar sadopak në vendin tim. Por ajo që nuk pranoj është kjo apati e gazetarëve, njerëzve të ndershëm që jetojnë në Shqipëri  e që po merr në qafë këdo duke djegur “të njomin me të thatin”.

/Shënim: Ky material është marrë me shkurtime nga një opinion në profilin e facebook-ut të autorit të tij, Alban Zere. Ky material nuk përfaqëson në asnjë mënyrë linjën editoriale apo qëndrimin e portalit “Priza.al”, për sa thuhet dhe shkruhet më sipër, por është vetëm një mendim i lirë dhe përgjegjësi e plotë e vet autorit të tij!/

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *