Skandali/ Banka e Shqipërisë vendosi ‘tavan’ për mikrokreditë, ‘Fondi Besa’ loboi që interesat të mbeten të larta, deri në 250%

Qytetarët shqiptarë janë të parët në Europë që i paguajnë më shtrenjtë interesat e mikrokredive, ose deri në 250% më shumë, kur ata marrin një të tillë pranë institucioneve jobankare të miktofinancave.

Për këtë arsye Shqipëria është bërë në 10 vitet e fundit një parajsë e skemave të mikrofinancave, ku numri i IFJB-ve është shtuar shumë dhe po ashtu edhe skemat joshëse për qytetarët, ku ka kaluar në disa aspekte edhe vet tregun bankar.

Por nisur nga zhurma e madhe mbi interesat tepër të larta të mikrokredive, skemat fundosëse që IFJB-të përdornin ndaj klientëve të tyre, si dhe problemeve të tjera me kredi fiktive apo skema mashtrimi, Banka e Shqipërisë u detyrua që gjatë vitit të kaluar të rishikonte këto skema dhe rregulloren që duhet të stabilizonte këtë treg.

Më herët “Priza.al” ka botuar disa shkrime rreth këtij fenomeni dhe problematikës që po shqyrtohej nga Banka Qendrore, por duket se me gjithë punën burokratike që bëri BSh-ja, përsëri nuk arriti që ta disiplinojë këtë treg.

Shumë e thjeshtë! Institucionet Fiancaiare Jobankare, ose ndryshe subjektet e mikrokredive u bënë bashkë në një lobim të fortë dhe arritën që t’u “mbushin mendjen” specialistëve dhe zyrtarëve të BSh-së, për të mos i cenuar atyre hapsirat e fitimit dhe të spekulimit në kurriz të klientëve.

Për ta sqaruar më qartë se si ndodhi gjatë vitit të kaluar kjo, “Priza.al” mori informacione pranë Bankës Qendrore prej nga mësoi se, IFJB-të me në krye “Fondin Besa” që ka edhe peshën më të madhe në tregun e mikrokredive (sepse ka periudhën më të gjatë të aktivitetit në vend), lobuan dhe ushtruan të gjitha njohjet dhe presionin pozitiv pranë drejtuesve të BSH-së, me qëllim që rregullorja në dukje e “rreptë”, të ishte vetëm një shkresë burokratike, në një kohë që zbatimi i saj të mbetej pezull ose të krijoheshin hapësira dhe toleranca për fitime të majme gjithsesi.

“Priza.al” mësoi nga burime konfidenciale nga BSH-ja se: “Në mbledhjet e zhvilluara për këtë qëllim mes zyrtarëve të BSH-së dhe drejtorëve të IFJB-ve, presidenti i ‘Fondit Besa’, Bajram Muça, kishte kërkuar me insistim që rregullorja e re të mos cenonte normat aktuale të fitimit dhe ato të interesave të paracaktuara në formë karteli nga vetë institucionet e mikrofinancave”.

Kjo gjë duket se i ka favorizuar të gjitha IFJB-të në vend, edhe pse në dukje, rregullorja e re është shitur nga ana e BSh-së, sikur u vjen në ndihmë konsumatorëve dhe klientëve të institucioneve të mikrofinancave.

Futja në zbatim e rregullores për tavanin e interesave

Ashtu krejt pa zhurmë, më datë 31 dhjetor 2021, hyri në fuqi aplikimi i normave maksimale efektive të interesit (NEI maksimal), për kreditë konsumatore dhe mikrokreditë në Shqipëri, e përpiluar dhe e vënë në zbatim nga ana e Bankës Qendrore.

Megjithëse rregullorja hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar, “NEI maksimal” pritet të publikohen vetëm në fund të muajit janar. Vonesa në kohë do të ndodhë sepse për çdo 6-mujor, “NEI maksimal” bazohet në kreditë e dhëna në 6-mujorin paraardhës dhe në llogaritjen e treguesit për gjysmën e dytë të vitit 2021 duhet të përfshihet edhe muaji dhjetor.

Referuar të dhënave të një shkrimi të publikuar nga revista profesionale ekonomike “Monitor”, vlerat e “NEI maksimal” për interesat ende nuk janë publikuar, por priten të rezultojnë mjaft të larta, sidomos për kreditë e vogla me këste, deri në shumën 200 mijë lekë.

Po sipas “Monitor”, mbështetur në të dhënat e kredive të dhëna për periudhën korrik-nëntor 2021, NEI mesatar i kredive deri në 200 mijë lekë të dhëna në monedhën vendase rezulton rreth 131.4%. Sipas rregullores, NEI maksimal përcaktohet duke e rritur interesin mesatar me një të tretën. Kjo e çon NEI-n maksimal për kreditë e vogla afërsisht në nivelin 175%.

Arsyeja kryesore pse NEI për kreditë deri në 200 mijë lekë rezulton në vlera mesatare të larta, është sepse shumica dërrmuese e kredive të këtyre përmasave jepen nga institucionet financiare të mikrokredisë.

Për shkak të modelit të tyre të biznesit, me kredi të dhëna në shuma të vogla, kosto të larta për njësi dhe rrezik të lartë, këto institucione aplikojnë normë efektive të larta në huadhënie.

Në teori, institucionet financiare mund të kenë interes që ta rrisin NEI-n e kredive të dhëna gjatë dhjetorit, me qëllim për të siguruar një tavan më të lartë për 6-mujorin e parë 2022.

Mikrokreditë me norma interesi stratosferike

Një normë tavan interesi në kufijtë e 170% në pamje të parë është shumë e lartë, megjithatë ajo do të japë efektet e veta në treg. Aktualisht, në tregun e mikrofinancës në vend ku operojnë shumë institucione mikrofinanciare, një pjesë e të cilëve me shumë probleme, ka kredi ku NEI kalon edhe nivelin e 250%, nivel që arrihet zakonisht për shumat më të vogla dhe afatet më shkurtra të shlyerjes.

Me vendosjen e NEI-t maksimal, qoftë edhe në nivelin 170%, interesa të tilla efektive nuk do të mund të aplikohen më. Kjo mund të ndikojë në uljen e përfitueshmërisë së institucioneve të mikrofinancës, por ndoshta edhe do të sjellë ndryshime në strukturën e produkteve.

Për kreditë konsumatore në vlera më të mëdha, në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, interesi tavan deri tani rezulton në nivele ndjeshëm më të ulëta. I llogaritur mbi kreditë e dhëna për periudhën korrik-nëntor 2021, NEI maksimal rezulton 38%.

Diferenca ndodh për dy arsye kryesore. Së pari, me rritjen e shumës së kredisë norma efektive e interesit ulet ndjeshëm dhe kjo vlen për të gjithë huadhënësit. Së dyti, në kreditë mbi 200 mijë lekë, ka një peshë më të lartë të bankave tregtare, që përgjithësisht kreditojnë me norma më të ulëta interesi se sa IFJB-të, çka bën që për arsye edhe besueshmërie dhe korrektësi klientët të drejtohen aty.

Për bankat, një interes tavan 38% nuk krijon probleme, sepse kreditë e tyre konsumatore janë larg këtyre niveleve. Por për institucionet e mikrofinancës një tavan i tillë do të krijojë vështirësi, sepse ato kanë kosto më të larta të produktit në të gjithë elementët kryesore, përfshi koston e sigurimit të fondeve, kosto mesatare për njësi (kredi), si edhe kosto më të larta rreziku (më shumë kredi me probleme).

Një NEI maksimal prej 38%, do ta bëjë më të vështirë që këto institucione të konkurrojnë me kreditë që tejkalojnë vlerën e 200 mijë lekëve përball bankave tregtare.

Kjo ka bërë që shumë institucione IFJB për të eleminuar ose shmangur këto klauzola dhe konkurrencën nga bankat private, të nxiten drejt skema të mashtrimit, krijimit të grupeve me sekserë, apo akoma më tej drejt formave të investimeve të kapitaleve të dyshimta apo pastrimit të parave me origjina të panjohura, të injektuara në to nga aksionerë të huaj të ardhur rishtazi.

Aplikimi i NEI-t maksimal do të prekë edhe dy produkte që ofrohen ekskluzivisht nga bankat, kreditë kufi (overdraftet) dhe karta e kreditit.

Në të dhënat e periudhës korrik-nëntor 2021, NEI maksimal për overdraftet do të rezultonte rreth 19.8%, ndërsa për kartat e kreditit rreth 27%.

 

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *