Në një kohë që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK kanë nisur një hetim për aktivitetin e pastrimit të parave në vend, si dhe nga ana e Prokurorisë së Tiranës janë rihapur çështjet e pushuara për “Fondin Besa”, ky i fundit ka filluar një tjetër aktivitet.
“Priza.al” mësoi sot nga burime të konfidenciale brenda institucionit të mikrokredisë “Fondi Besa”, se bordi drejtues i këtij të fundit me urdhër të presidentit Bajram Muçaj, ka ngritur një “Task-forcë” për të mbledhur paratë nga kreditë e pashlyera.
Sipas burimeve, “task-forca nuk është asgjë më shumë se një grup pune me oficerë të kredive, shefa të degëve dhe një ekip policie private dhe përmbaruesish që kanë hartuar disa lista me emrat e kreditorëve të këqij dhe tani kanë nisur që t’i kërkojnë me qëllim që t’i detyrojnë të paguajnë”.
Burimet i thanë “Priza.al” se nga ana e task-forcës fillimisht negociohet me kreditorët me qëllim që ata të lihen të paguajnë një pjesë të madhe të principalit, në të kundër “vepron” grupi i forcës.
“Nëse kredimarrësit i gjendet adresa e saktë e shtëpisë, shkon grupi i task-forcës. Ata fillimisht negociojnë me kredimarrësin ose familjarët e tij. Nëse ata vendosin të paguajnë principalin atyre u bëhet deri në 30% ulje e totalit të të gjithë shumës që kanë për të paguar”,- deklaruan burimet nga “Fondi Besa” për “Priza.al”.
Por ajo që ata theksuan më tej ishte fakti që nëse nga kredimarrësit nuk pranohet të paguhet asnjë gjë, atëherë ndërhyn “grupi i forcës” dhe përmbaruesit që sekuestrojnë menjëherë pronat e vendosura kolateral apo te tjera pasuri me vlerë të përafërt të asaj që ka kredia.
Lista e kreditorëve të këqij
Nga sa ka mësuar “Priza.al”, lista që është hartuar nga Bordi Drejtues i “Fondit Besa”, ka në thelbin e saj të gjithë ata persona të cilët janë përfshirë në marrje kredish jo drejt për drejt, por nëpërmjet vjedhjes dhe manipulimit të të dhënave personale nga ana e sekserëve që vepronin pranë “Fondit”.
Kjo për vetë faktin se shumica e këtyre personave janë banorë nga qytete të vegjël apo nga zona rurale, dhe shumicës së tyre i mungon dhe arsimi i duhur për t’u informuar mbi të drejtat dhe detyrimet që kanë.
Po ashtu, sipas burimeve nga “Fondi Besa”, drejtuesit e këtij të fundit kanë bërë marrëveshje kundrejt pagesave nën dorë edhe me oficerë policie apo drejtues postash policore në zona rurale, që të mos ndërhyjnë në rast se banorët njoftojnë për ndërhyrjet me forcë nga përmbaruesit.
Gjithashtu, “Priza.al” ka mësuar edhe se “task-forca” e “Fondit Besa” po vepron me shpejtësi për grumbullimin e këtyre parave, me qëllim mbulimin e gropës së madhe që është krijuar brenda institucionit me rritjen artificiale të portofolit të kredisë.
“Task-forca” vepron si grup paraushtarak
Përveç oficerëve të kredisë, që secili ka listën me emrat e kreditorëve të këqij të degës përkatëse, dhe disa përmbaruesve privatë, “Priza.al” ka mësuar se në përbërje të grupeve që mbledhin “borxhet” janë edhe individë të armatosur pjesë e policive private, apo edhe elementë me të shkuar kriminale.
Ata përdoren për të frikësuar apo shtrënguar viktimat e painformuara apo familjarët e tyre, që të hanë presionin dhe të detyrohen të paguajnë, duke pranuar ujdinë e servirur nga “Fondi Besa”.
“Priza.al” ka mësuar se janë disa grupet e ngritura në të gjithë vendin, madje të mirë përgatitur dhe të mirëpaguar nga “Fondi Besa”, me qëllim që të jenë gati të përballen me çdo lloj situate nga kredimarrësit.
Këto grupe veprojnë mbi bazën jo të një ligji, dhe jo ndaj atyre klientëve të mirëinformuar që e kanë çuar në gjykatë çështjen me “Fondin Besa”.
Këto grupe veprojnë thjesht nisur nga një titull ekzekutiv, për të sekuestruar me forcë prona dhe pasuri të tundshme dhe të patundshme, me qëllim nxjerrjen e tyre në ankand dhe sigurimin e shpejtë të vlerave monetare që kërkohen nga “Fondi Besa”.
Të gjitha këto grupe po veprojnë deri tani ndaj atyre personave që nuk kanë hapur një çështje gjyqësore me “Fondin Besa”, apo nuk kanë kapur një avokat, por janë thjesht kredimarrës të shumave të vogla nga 1- 8 milionë lekë të vjetra dhe që deri tani kanë ecur me pretendimin se kanë qenë të mashtruar nga sekserët.
Vijon…
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016