Kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një takim elektoral në zonën e Farkës në Tiranë. Basha ka komentuar gjatë takimit akuzat ndaj Partisë Socialiste për nxjerrjen e të dhënave personale të votuesve nga e-Albania. Kryedemokrati tha se edhe ky marifet nuk e shpëton kryeministrin, Edi Rama. Sipas tij 25 prilli është dita e bashkimit të shqiptarëve për ndryshim.
“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledh numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete”, tha Basha.
Kujtojmë se skandali me të dhënat u bë publik disa ditë më parë. Një database me të dhënat e mbi 910 mijë votuesve, përfshirë këtu një sërë emrash të njohur të gazetarëve si Blendi Fevziu, Ylli Rakipi, Mero Baze, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Arjan Cani e Eni Vasili, janë të skeduar me preferencat politike dhe shanset se për kë do të votojnë me 25 prill. Sipas portalit, ky regjistër elektronik është shpërndarë në të gjitha degët e PS në Shqipëri dhe të dhënat janë marrë nga e-albania. Në një reagim, AKSHI mohoi të ketë gisht në këtë database, ndërsa Taulant Balla tha se PS ka regjistra prej vitesh.