Skandali/ Linja e ‘Tiranës së re’ punon pa certifikatë transporti. Banditët e urbanëve vijojnë me kërcënime ndaj ‘Priza.al’. Shteti fle gjumë…

Transporti urban në Tiranë vijon të jetë një problem i madh i çdo dite jo vetëm për qytetarët që e përdorin atë, por edhe për trafikun në kryeqytet, si dhe për ndotjen e mjedisit.

Prej disa kohësh Bashkia e Tiranës po përpiqet që ta disiplinojë atë, por ai gjithsesi mbetet një “gangrenë” në linja të caktuara, të cilat pëër ti regullluar duhet një punë e madhe.

Ndërkohë prej disa kohësh “Priza.al” ka nisur që të publikojë me fakte dhe prova problemet e shumta për linjat e ndryshme urbane në kryeqytet. Por ky duket se është bërë një problem i madh për nj pjesë të pronarëve, të cilët prej vitesh sigurojnë fitime të mëdha nëpërmjet makinacioneve dhe duke abuzuar dhe përfituar mbi indiferencën e qytetarëve.

Për pasojë disa individë që janë edhe pronar të disa linjave në kryeqytet, kanë nisur prej disa ditësh të shantazhojnë dhe kërcënojnë hapur redaksinë dhe stafin e “Priza.al”, që nga ana e saj po bën publikisht denoncimin për këta individë.

Tiranë/ Zbulohet rrjeti i falsifikatorëve të biletave të transportit publik, në pranga Ibrahimi i 'Ferlutit' dhe këshilltari bashkiak (VIDEO) - Shqiptarja.com

(Foto: Fatos Vrapi, pronar i “Alba Trans”)

Sipas të dhënave, kemi konstatuar se linja e “Tiranës së re”, e drejtuar nga Fatos Vrapi, po punon pa certifikatë transporti. Kjo gjë po ndodh pikërisht nën hundën e Policisë Bashkiake, të Agjencisë së Mbrojtjes se Konsumatorit, si dhe të DPSHTRR-së, institucione këto, që të treja kanë tagrin për të kontrolluar ndër të tjera edhe shërbimin e linjave të urbanëve në kryeqytet.

Por ndërkohë jo vetëm “Tirana e re” pasi edhe linja e Unazës, të cilës vetëm pak ditë më parë Bashkia i hoqi licencën, vijon ende me shërbimin mizerrabël dhe me autobusë tejet të amortizuar dhe të pistë.

Por ndërkohë që “Priza.al” ka vijuar të publikojë këto shqetësime, banditë dhe rrugeçër të vënë prej pronarëve të linjave të transportit urban, prej disa ditësh kanë nisur një fushatë sharjesh, fyerjesh, denigrimi dhe kërcënimesh deri me jetë të të gjithë stafit tonë nga rrjetet sociale.

Kush janë banditët që kërcënojnë “Priza.al”

Një incident që i ndodhi më një shofer të Unazës Enver Dishani, disa kohë më parë i cili u dhunua prej një grupi “të fortësh” me në krye Resmi Nikën, i cili, është një person në shërbim edhe të pronarit të kompanisë ‘Ferlut’, Ferdinand Ibrahimi, ishte pikënisja e konfliktit të këtyre tipave me “Priza.al”.

(Foto: Shoferi i dhunuar i linjës së ‘Unazës’, Enver Dishani, në urgjencën e QSUT-së)

Nisur edhe nga heqja zyrtarisht e monopolit të linjës së Unazës, Ferdinand Ibrahimit, personat që janë edhe dhunuesit në shumë raste të shoferëve dhe stafeve të urbanëve, i janë vërsulur tashmë edhe “Priza.al”, duke përmendur veç shantazheve për heqjen e shkrimeve dhe mos publikimin më të materialeve të tilla, edhe armët.

Prej disa ditësh Resmi Nika me të vëllanë Mirin na kanë “bllokuar” telefonin e redaksisë me telefonata shantazhuese dhe kërcënuese pa fund.

Nika ka kërkuar ndër të tjera nga “Priza.al” që, të hiqen menjëherë dhe të fshihen nga të gjitha rrjetet sociale, të gjitha shkrimet e bëra për linjat e Unazës, për Ferdinand Ibrahimin dhe Fatos Vrapin, si dhe ato që treguan për skandalin e rrahjes së shoferit Enver Dishani.

Në komunikimin me personin e informacionit të “Priza.al”, me një gjuhë vandalësh dhe rrugeçësh, Resmi Nika, ka kërkuar heqjen e shkrimeve pasi në të kundërt “…ne do ta shikonim!”.

No description available.

(Foto: Numri i Resmi Nikës që ka telefonuar numrin e redaksisë së “Priza.al”)

 

“Hiqini ato që keni shkruar dhe mos bëni më gjera në emrin tim, se do ta keni punën keq pastaj…!!”,- ishte një ndër “rekomandimet” që morëm prerazi nga Resmi Nika në numrin e redaksisë tonë.

Telefonatat që nisën që ditën e shtunë në orën 12:03 të mesditës, kanë qenë pa pushim edhe gjatë këtyre ditëve në vijim. Informacioni i’u përgjigj telefonatës që nga ana tjetër u prezantua si Resmi Nika, pronar i linjës së Urbanëve Tiranë-Vorë, me pretendimin se ne të “Priza.al” po i binim “më qafë”.

“Mos bëni provë që të bëni më asnjë shkrim për çështjen e autobusëve Urbanë!”,- ishte një prej urdhrave të Resmi Nikës, dhënë për redaksinë tonë.

Ndërkohë, në profilet tona të rrjeteve sociale, një bandë rrugeçësh halabakë me në krye vëllain e Resmi Nikës, Miri Nika dhe shokë të tij, janë angazhuar që të mbushin me komente dhe mesazhe fyese, kërcënuese, deri në cenim të jetës për të gjithë stafin e “Priza.al”.

(Foto: Miri Nika me vëllai e tij Resmi Nika)

Mesazhet e ardhura në të gjitha profilet tona sociale nga këta individë (sipër në foto) dhe miq të tyre të porositur, nisin që nga sharjet dhe fyerjet më ordinere dhe të denja për halabakërinë e rrugëve, deri tek shantazhet tipike mafioze për cenim të jetës dhe misionit tonë si redaksi.

(Foto: Disa prej mesazheve fyese dhe kërcënuese të ardhura në adresat e “Priza.al” në rrjetet sociale)

Por ndërkohë, lexuesit tanë na kanë sjellë komente dhe foto, duke na informuar se edhe linja Tiranë-Vorë, në pronësi të Resmi Nikës është një tjetër linjë tejet problematike. Që nga moskorrektësia me oraret, cilësia e autobusëve urbanë, deri te sjella thuajse vandale e stafeve dhe kontrollorëve të biletave, janë disa nga problemet e kësaj linje.

(Foto: Grupi i personave që ushtron dhunë ndaj shoferëve dhe faturinove të linjave urbane)

(Foto: Miri Nika në zyrën ambulante të vëllait të tij Resmi Nika, pronar i linjës Tiranë-Vorë “Remi-Trans”)

“Priza.al” do të vijë edhe në ditët e tjera me nxjerrjen dhe publikimin e gjithë problematikës jo vetëm për linjën Tiranë-Vorë, por edhe për të tjera që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin.

Por as tipa si Resmi Nika, Ferdinand Ibrahimi, apo Fatos Vrapi, nuk na kanë penguar dhe as do të na pengojnë që ta pasqyrojmë realitetin siç është.

Nisur nga kjo situatë që gjithsesi është bërë serioze, “Priza.al” u bën thirrje edhe një herë organeve të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe të gjitha institucioneve shtetërore, që të merren me këta individë që jo vetëm e kanë kthyer transportin publik në fole banditësh dhe hajdutësh, por të marrë në mbrojtje median e lirë dhe të hetoj për këtë rast!

“Priza.al” i kërkon dhe bën apel edhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, asaj të Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësisë së BE-së në vendin tonë, që të reagojnë dhe të marrin në mbrojtje jo ne, por misionin tonë dhe median e lirë.

Ne do të vijojmë me misionin tonë dhe i mirëpresim të gjithë ata që kanë mendim kundër nga ne, madje edhe reagimet e tyre jemi gati që t’i botojmë për të qenë transparent, por nuk pranojmë në asnjë mënyrë të kërcënohemi dhe shatazhohemi. Ndaj mos e çoni nëpër mend!

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *