Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij janë nën hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I ftuar në Syri TV, Berisha tha se Rama e ka detyruar Jurinë e Madhe në SHBA për të nxjerrë emrin e tij. Më tej ai shtoi se Rama ka marrë përsipër një rol shumë të vështirë, atë të rrënimit të opozitës, por që sipas tij do të dështojë.
“Edhe dy herë po u citove, jo 14 herë, kur je kryeministër edhe dy herë po të citohesh është shumë e rëndë. Do të thotë se ke detyruar Jurinë e Madhe për të të nxjerrë emrin. Nuk është i pandehur, por është 100 për qind nën hetim, jo vetëm ai, por edhe ministrat e tij. Nuk ka qenë njeri dosido McGonigali, ai si person ka qenë aseti, ndër më të rëndësishmit për sigurinë e atij vendi. Vetëm atij i kanë nxjerrë emrin.
Rama thotë edhe dëshmitarët janë të PD-së. Se kush janë unë ato nuk e di. Nesër është ditë madhështore proteste. Populli opozitar është në këmbë. Është një skandal që po vlon kudo. Rama nuk pati burrëri dhe kurajo të largohej dhe duhet të largohet nga revolucioni paqësor. Sot që jam këtu unë nuk preferoj të komentoj në vendimin e tre gjykatësve. Kurrë në historinë e drejtësisë nuk ka ndodhur që një individ që nuk ka qenë palë në një proces gjyqësor, të shpallet palë. Pa qenë palë Lulzim Basha ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit. Kjo detyrë i është dhënë një gjyqtari tjetër me emër Kostandini. Ai i ka thënë që nuk legjitimoj kërkesën tuaj sepse nuk jeni palë në proces. Basha dhe Alibej kishin të drejtë të hapnin gjyq veças për hesap të tyre, të faktonin pretendimet e tyre, por jo të bëhen palë aty ku nuk janë palë.
Ka marë persipër rolin e rrënuesit të opozitës. Ka marrë rol shumë të vështirë. A e dini ju që Rama në mënyrën më cinike deklaron që nuk kam lexuar ndonjëherë Kushtetutën. Është një birbo. Në mendje ka Kushtetutën e 76-ës. Kryeministri ndërrohet në Parlament. De Facto kryeministri i Shqipërisë sot është Belinda Balluku. Por ajo është njeri i pavotuar. Ka detyra të tjera. Kur ndërrohet kryeministri ndërrohet në Parlament. Dhe ta dini si vran dhe kthjell ajo në Kryeministri, mos e pyet. Në Parlament thotë nuk vij. Ky jeton në sarajet e tij në Surrel. Në këtë rast i sfiduar është çdo shqiptar, që ka një kryeministër që nuk drejton qeverinë”, tha Berisha.