Kreu i Partisë Demokratike, në një komunikim në rrjetin social ‘Facebook’ u ndal sërish në skandalin e bujshëm të arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së dhe lidhjeve të tij me Shqipërinë. Sipas tij, çështja ‘McGonigal’ nuk do të ‘kalojë’ si të tjerat, pasi ka goditur fort opinionin shqiptar. Këtë çështje ai e cilësoi simbol të mafies ndërkombëtare, me synim asgjësimin e pluralizmit shqiptar.
“Është tragjike se si pasardhësi i Spiro Kolekës, angazhon, korrupton një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit në planet për të shkatërruar opozitën shqiptare, PD-në. Dhe kjo vazhdon me aktin korruptiv madhor, pasi e futën në thes ish-kreun e PD-së tani duhet të rrënonin dhe një njeri tjetër, i cili kishte autoritet moral, por jo fuqi vendimmarrëse në PD, Sali Berishën.
Këtu mafia e George Sorosit, korrupsioni, ia dolën të marrin firmën e Antony Blinken për shpalljen non grata për korrupsion të një njeriu që gjatë gjithë karrierës së tij politike kishte dy epitete, së pari ‘too american’, shumë pro amerikan dhe i pakorruptuar. Këtu u injorua çdo gjë.” – u shpreh Berisha.
Ai tregoi gatishmërinë për të informuar komisionin hetimor në SHBA, për veprimtarinë kriminale të McGonigal në Shqipëri. Ambasadoren Yuri Kim ai e cilësoi mbështetëse fanatike të Ramës, e cila ndihmoi kryeministrin të kontrollonte opozitën.