Në një deklaratë nga Selia e Partisë Demokratike, ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren Yuri Kim se ajo ka këshilluar kryeministrin Rama që të heshtë dhe të mohojë miqësinë me Charles McGonigal.
“Afera Rama-McGonigal është një prej aferave më të shëmtuara. Ndaj kësaj ngjarjeje tronditëse Edi Rama u zhduk 3 ditë me Kodin absolut të heshtjes, nuk foli një fjalë. U sëmur nga gripi ‘diplomatik’. Burime të tjera thonë se ‘fluturoi’ jashtë vendit. Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se nës heshtjen e Edi Ramës një rol të veçantë ka Gurvernatorja Yuri Kim, e cila i ka kërkuar atij që të mos bëjë asnjë deklaratë” – tha Berisha.
Sali Berisha i ka bërë thirrje publike FBI që të hetojë ambasadoren Yuri Kim dhe lidhjet e saj me ish zyrtarin Charles McGonigal pasi pretendon se ka kryer korrupsion. Po ashtu supozon se Yuri Kim kishte synim të shkatërronte opozitën duke shpifur rreth dosjeve ruse.
“Kodi i heshtjes po zbatohet edhe nga guvernatorja, e cila nuk ka lënë gjë pa komentuar. Tani për një ngjarje që ka tronditur thellë botën, nuk shqipëron një fjalë të vetme. Në llojin e saj, guvernatorja është një McGonigal, ndaj të cilës janë shumë akuza për të gjitha format e korrupsionit”- tha Berisha.
Sali Berisha nuk ka kursyer Lulzim Bashën teksa akuzonte se ka bashkëpunuar me Edi Ramën dhe Yuri Kim për të respektuar Kodin e Heshtjes rreth dosjes amerikane të McGonigal.