Departamenti i Drejtësisë në SHBA është vendosur në pozita të vështira me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të cilët janë indinjuar, gjë që pritet të zgjidhet në një “betejë” mes dy protagonistëve që nuk mund të ishin më të ndryshëm, një ish-trajneri luftarak i mundjes dhe një ish-gjyqtar federal.
Një nga ata që kryeson akuzat në hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve të administratës Biden është kryetari i gjyqësorit Jim Jordan, një republikan i Ohios, i njohur për stilin e tij konfrontues.
Objektivi i tij më i menjëhershëm është Departamenti i Drejtësisë, veçanërisht FBI, i udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, një i diplomuar për drejtësi në Harvard, me një karrierë të gjatë në zbatimin e ligjit federal, i cili ka mendime dhe flet me tone të matura. Në qendër do të jetë sasia e materialit që Departamenti i Drejtësisë duhet t’i dorëzojë, dhe sa shpejt, Gjyqësorit dhe komiteteve të tjera, si dhe nënkomisionit të zgjedhur.
Jordan dhe republikanët kanë nxitur Departamentin e Drejtësisë me kërkesa për dokumente dhe të dhëna. Çdo dështim në prodhimin e materialit mund të përdoret përfundimisht për të pretenduar se Garland po shpërfill Kongresin ose, në ekstrem, për të filluar procedurat e shkarkimit.
“Sfida për prokurorin e përgjithshëm dhe drejtuesit e departamenteve të tij do të jetë navigimi dhe manovrimi i kërkesave legjitime duke mbrojtur hetimet dhe duke shmangur kurthet e lojrat e fjalëve”, tha Robert Raben, i cili drejtoi zyrën e çështjeve legjislative të departamentit, Janet Reno.
Garland, 70 vjeç, nuk ka kundërshtuar publikisht dhe disa demokratë kanë vënë në dyshim nëse ai ka qenë shumë i kujdesshëm si në hetimet që përfshijnë ish-presidentin Donald Trump, ashtu edhe në përgjigjen ndaj republikanëve të Kongresit. Ai do të bëjë paraqitjen e tij të parë para Kongresit të mërkurën në një seancë dëgjimore të Komisionit Gjyqësor të Senatit. Me demokratët në kontroll, Garland do të jetë në terren miqësor. Por republikanët në panel ka të ngjarë ta godasin atë në një sërë temash.
Në prapaskenë, Departamenti i Drejtësisë po u kërkon ligjvënësve të jenë të durueshëm pasi zyrtarët ndjekin procedurat normale për të përmbushur kërkesat dhe thirrjet e kongresit.
“Misioni i departamentit për të mbështetur në mënyrë të pavarur dhe të paanshme sundimin e ligjit kërkon që ne të ruajmë integritetin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe veprimeve tona civile, dhe të shmangim edhe një perceptim se përpjekjet tona janë të ndikuar nga çdo gjë përveç ligjit dhe fakteve.”
Departamenti ka mbushur kohët e fundit pozicione vakante për t’u marrë me breshërinë e kërkesave dhe thirrjeve të pritshme nga hetimet e shumta, si dhe për të përballuar sfidën e marrëdhënieve me publikun. Departamenti ka punësuar profesionisten e komunikimit Xochitl Hinojosa për të drejtuar çështjet publike. Ajo është një veterane e Departamentit të Drejtësisë së Obamës me përvojë pune në komunikimet politike. Departamenti gjithashtu mori edhe Emma Dulaney, e cila më parë shërbeu si këshilltare strategjike dhe zëvendës drejtore e komunikimit për Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës, por edhe si sekretare shtypi. Përveç kësaj, të paktën 5 persona janë punësuar në zyrën e çështjeve legjislative, të cilët kanë përvojë pune me Kongresin.
“Ju nuk mund të nënvlerësoni se sa shpërqendruese dhe minuese është të kesh një breshëri të vazhdueshme akuzash të padrejta kundër teje dhe kërcënime,”- tha Raben, i cili tani drejton firmën e tij për marrëdhëniet publike dhe komunikimin strategjik.
“Nga ana tjetër, është përgjegjësia e Kongresit të shohë që ligjet po zbatohen me besnikëri.”
Pavarësisht kërkesës për durim, Jordan, 58 vjeç, nuk po pret dot. Komiteti Gjyqësor lëshoi fletëthirrjet e tij të para muajin e kaluar në lidhje me pretendimet e gjata nga disa republikanë se DOJ (Departameni i Drejtësisë) dhe agjenci të tjera vëzhguan prindërit që po sfidonin zyrtarët e shkollave lokale për kufizimet e pandemisë së koronavirusit.Jordan tha se një informator i FBI-së pretendoi se dhjetëra prindër u emëruan si kërcënim dhe u vendosën nën hetim.
“Në kohën time në Kongres, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Dhjetëra e dhjetëra sinjalizues, agjentë të FBI-së që vijnë tek ne duke folur për atë që po ndodh në natyrën politike në Departamentin e Drejtësisë”, tha Jordan.
Garland, drejtori i FBI-së, Christopher Wray dhe sekretari i arsimit, Miguel Cardona, kanë kohë deri më 1 mars për të dorëzuar dokumentet e kërkuara. Shumë kanë të bëjnë me komunikimet ndërmjet zyrtarëve të drejtësisë, FBI-së dhe avokatëve të jashtëm.
Jordan ka bërë gjithashtu kërkesa të gjera për dokumente dhe regjistrime të tjera, disa prej të cilave përfshijnë hetime aktive, çështje të personelit ose diskutime të brendshme. Në fillim të këtij muaji, ai gjithashtu kërkoi që Wray të sigurojë dokumente dhe të organizojë një konferencë për anëtarët e Komitetit Gjyqësor në lidhje me padinë e një ish-zyrtari të lartë të byrosë, Charles McGonigal, i cili kishte shërbyer si shef i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, por u arrestua pasi akuzohet se pranoi para nga një miliarder rus.
Demokratët i kanë hedhur poshtë përpjekjet republikane për ta parë si një ushtrim politik. Përfaqësuesi demokrat Jim McGovern i Massachusetts tha se qëllimi i nënkomitetit është “sulmi që i është bërë zbatimit të ligjit” për të nënvlerësuar hetimet penale dhe promovimin e teorive konspirative – të cilat Jordan i mohon të gjitha.
Jerrold Nadler i Nju Jorkut, demokrati më i lartë në Gjyqësor, akuzoi republikanët për përdorimin e hetimeve të Departamentit të Drejtësisë për të siguruar mbulimin ligjor të Trump.
“Më vete, Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Përgjegjshmërisë gjithashtu po përgatitet të lëshojë fletëthirrje për DD dhe agjenci të tjera në hetimet e tij, nëse është e nevojshme,”- tha kryetari James Comer i Kentakit.
Paneli ka kërkuar informacion, për shembull, nga Arkivi Kombëtar lidhur me zbulimin e informacionit të klasifikuar në ish zyrën e Biden dhe dokumentat që u gjetën në shtëpinë e tij në Delaware. Por agjencia u ka thënë ligjvënësve kjo i takon Departamentit të Drejtësisë të përcaktojë nëse kjo ndërhyn apo jo në hetimet e prokurorit special.
Comer tha se shpreson se nuk do të nevojiten thirrjet.
“Shpresoj se ata do të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe do t’i japin informacion të arsyeshëm Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve,” tha Comer.
“Unë nuk mendoj se ne kemi kërkuar ndonjë gjë që dikush do të thoshte se s’është e arsyeshme.”/ Marrë nga Bloomberg