Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula deklaroi se problemi i asaj që po përjeton demokracia në Shqipëri ka ardhur si pasojë e marrëveshjes së 2008, ku me dakordësinë e opozitës dhe mazhorancës u bënë ndryshimet Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Sula theksoi se Rama nga kjo histori o do fundoset o do të lartësohet duke iu referuar kështu çështjes McGonigal.
“McGonigal iu rrujti lekët shqiptarëve. Pse nuk përmend aktakuza kryeministrat e tjerë, po na përmend ne, vetëm juve ju qëllojnë këto gangsterat, deputet e kryetar bashkisë trafikant, ju i gjeni dhe brenda dhe jashtë shtetit, pse s’kapët ndonjë burrë të mirë të FBI, nuk është pa faj as opozita, që ndërtoi këtë makineri të së keqes, pikërisht nga ndryshimet e 2008 i vutë Kamzën demokracisë, ka një rrugë të vetme që ky vend të shpëtoj, për të hequr morrat, i duhen duart e tjetrit, që do të thotë ishin ndërkombëtarët që ndërtuan reformën në drejtësi, tani ka ardhur ora që drejtësia të pastrojë morrat e politikës në Shqipëri, unë besoj që drejtësia është më e mirë se dje, po nuk është meritë e kësaj politike. Të gjithë janë në hall, qoftë me SPAK këtu dhe me drejtësinë amerikane, kartoni kuq iu ka dalë dhe qeverisë suaj dhe kryeministrit. Rama nga kjo histori o do fundoset o do të lartësohet, a e kalon dot oqeanin kryeministri jonë, tashmë, nesër ose pas disa muajsh”, tha Sula.