Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me skandalin “McGonigal”. Ajo u shpreh në emisionin “Open” se kryeministri Edi Rama përmendet 14 herë në aktakuzën e drejtësisë amerikane.
“Deri tani SPAK nuk ka pranuar nisjen e një hetimi. Ne kujtojmë raste të tjera ku prokuroria ka nisur hetime pas shkrimeve në revista apo gazeta. Unë e kam lexuar aktakuzën dhe Rama përmendet 14 herë. Kjo histori nuk është amerikane por i përket prokurorisë shqiptare. Duhet të hetohet se kush pagoi paratë për McGonigal, nga dolën ato”, deklaroi ajo.
Lala u shpreh se sot Rama ka një detyrim të madh moral dhe politik për të sqaruar këtë çështje.
“Kë takoi ai që ne nuk e dimë, përveç Ramës, Gjiknurit dhe 2 kryebashkiakëve. Sot Rama ka një detyrim të madh moral dhe politik, të dalë e të sqarojë këtë çështje. Që kur është hapur historia e Mother Jones, një në 5 fjalët e tij kanë qenë rublat ruse dhe sot i del emri në një histori që ka nisur nga rublat. Kush i pagoi paratë që erdhi McGonigal në Shqipëri?
Nëse është vetëm 1 lek është rast i pastër korruptiv. Momenti i dytë është në lidhje me koncesionin e kompanisë së naftës. Agron Nezës mund t’i merret dëshmia që ka dhënë me letër porosi, mund të merret dëshmia e Dorian Duçkës”, u shpreh Lala.