Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se në protestën e 11 shkurtit pret një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, pasi populli do të thotë fjalën e saj kundër kryeministrit më të korruptuar në kontinent.
i ftuar në News24, Meta tha se kjo është një protestë që vjen pas një tronditjeje nga një skandal i jashtëzakonshëm ku është përmendur kudo kryeministri i Shqipërisë.
“Unë nuk jam këtu për të zbardhur skenarin e protestës, unë i them çdo shqiptari se të gjithë bashkohen për t’i thënë botës se jemi një popull dinjitoz që nuk mund ta lejojë këtë bandit në krye të qeverisë. Ne nuk mund të pranojmë që Kosova fqinje në 2 vite përmirësohet me 20 vende për mirëqeverisjen, ne në 6-7 vitet e reformës kemi rënë 26 vende. Kosova dje i rriti rrogat e mjekëve, ndërsa ne jemi një dramë e vërtetë. Ky vjedh në mënyrë të përbindshme me PPP-të që rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit, me portin e Durrësit e çdo gjë”, tha Meta.