Skandali me mësuesin ‘pedofil’ në Berat, reagon Kushi: E larguam nga detyra! Hetim ndaj atyre që e punësuan

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar në lidhje me rastin e mësuesit të dënuar për pedofili në Berat, që ishte punësuar në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit. Kushi shprehet se ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ka nisur një hetim për personat përgjegjës që nuk kanë marrë informacionin e duhur duke lejuar punësimin e tij. Ministrja paralajmëron se ndaj tyre do të merret masë ndëshkuese.

 “Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë. Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”, shkruan Evis Kushi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *