Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një tjetër qëndrim zyrtar rreth çështjes së skandalit të shpërndarjes së fondeve të UEFA-s në mënyrë të jashtëligjshme në llogaritë e klubit “Tirana” që kanë sjellë edhe bllokimin e llogarive bankare të institucionit që drejton futbollin në vendin tonë.
FSHF ka publikuar 3 shkresa për të vërtetuar që ka vepruar konform rregullave. Dy janë kërkesa të klubit Tirana për lëvrimin e një pjese të fondeve, ndërsa një tjetër tregon një pagesë që FSHF ka bërë për klubin bardheblu.
Përtej faktit që një prej kërkesave të Tiranës është bërë për paradhënie për pagesën e një çarteri kur asnjë fond i UEFA-s nuk ishte lëvruar ende (siç e konfirmon edhe vetë FSHF në komunikatën e saj duke saktësuar se ata kanë mbërritur më 6 tetor 2020 ndërsa kërkesa është bërë për udhëtimin në Tbilis në gusht 2020), asnjë prej tyre nuk hedh dritë mbi arsyet reale të skandalit të publikuar këto ditë.
Përse FSHF ka hedhur në gjyq një përmbarues nëse pretendon se nuk ka asnjë problem me llogaritë bankare të saj? Përtej pagesave të pjesshme të vërtetuara me këtë dokument, si i kanë kaluar klubit rreth 1 milion euro të cilat Tirana përfitoi për pjesëmarrjen në Europë e që vetë FSHF konfirmon se ia ka lëvruar? Një pagesë e cila është bërë shkaku i vërtetë i bllokimit të llogarive të institucionit të futbollit në vendin tonë.
Me pak fjalë, FSHF ka publikuar “provat” e gabuara duke kujtuar se, me to mund t’i hedhë “hi syve” publikut me disa dokumente, duke predikuar një transparencë. Kjo në fakt tregon edhe një herë se institucioni i futbollit po mundohet në të gjitha mënyrat pikërisht që të mos e bëjë një gjë të tillë.
Reagimi dhe dokumentet e publikuara nga FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit, e akuzuar prej ditësh se ka bërë pagesa anti-ligjore dhe jo në llogaritë zyrtare të KF Tirana, dëshiron të informojë opinionin publik dhe anëtarët e saj se këto akuza rrëzohen nga dokumentat e mëposhtme.
Transaksionet e parave të mbërritura nga UEFA për klubin KF Tirana në 6 tetor 2020, janë kaluar në llogaritë zyrtare të klubit në ABI Bank dhe Union Bank, llogari të cilat dhe aktualisht që po ju dërgojmë këtë komunikim publik, janë të lira dhe kanë kryer pagesa.
FSHF ka qenë dhe mbetet e hapur për të bërë transparencë për çdo pretendim të individëve, mediave dhe anëtarëve të saj.
/Burimi: Panorama Sport/