Spitali Universitar i Traumës në Tiranë, dikur ish-Spitali Ushtarak, përveç problemeve bazike që ka në kushte dhe pajisje, prej vitesh tani ka edhe problemin e pushtimit nga “Spitali Amerikan”.
Ky i fundit, i favorizuar nga qeveritë e ndryshme, jo vetëm që nuk paguan qiranë e shfrytëzimit të ambienteve ndaj Spitalit të Traumës, por vitet e fundit ka zaptuar edhe të gjithë hapësirat rreth e rrotull spitalit.
Dje “Priza.al” solli me anë të një videoje dhe një audio-regjistrimi të gjithë ekspozenë se si Spitali i Traumës nuk ka më as vende parkimi në dispozicion, pasi të gjitha parkimet janë zënë dhe marrë në posedim nga “Spitali Amerikan i Tiranës”.
Nga investigimi që “Priza.al” bëri dje, konstatoi se nëse shkon për një emergjencë apo për të parë një të afërm në Spitain e Traumës me një automjet, pa tjetër je i detyruar që të parkosh me pagesë në parkimet e “Spitalit Amerikan”.
Sot në vijim të investigimit tonë, po ju sjellim edhe foton e kuponit tatimor të prerë në parkimin me pagesë pas Spitalit të Traumës, por edhe pse i projektuar për këtë të fundit, ai është privatizuar dhe shfrytëzohet si biznes privat nga “Spitali Amerikan 1”.
Parkimi siguron fitime të majme për “Spitalin Amerikan”
“Spitali Amerikan 1” duke pasur edhe mbështetje politike ka arritur që të zaptojë dalë nga dalë ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, duke ndjekur me të filozofinë e kungullit që morri gardhin.
Kështu pas zaptimit të një pjese të plot 15 mijë metra katrorë për të paktën 20 vite, tani “Spitali Amerikan 1” është kujdesur që të korruptojë edhe administratën e Spitalit të Traumës, që të lidhë me zinxhirë ato pak hapësira të mbetura parkimi dhe të drejtojë gjithë automjetet private drejt parkimit të madh, pas ish-Spitalit Ushtarak, e parashikuar dikur për spitalin fushor në rast lufte apo fatkeqësie natyrore.
Më pas “Spitalit Amerikan” ju dhanë edhe 500 m², për 5 vjet. Kjo kontratë u rinovua në vitin 2013, në periudhën boshe, pas zgjedhjeve. Gjithashtu, sipas mjekëve të traumës, “Spitalit Amerikan” ju dhurua infrastruktura për 1 euro.
Nga një llogari e thjeshtë që bëmë, referuar edhe kuponit tatimor që paguam për vetëm 15 minuta qëndrim në këtë parkim, prej 100 lekësh (të reja), na del një shumë e konsideruar mujore dhe vjetore.
Kështu në parkimet që “Spitali Amerikan” ka marrë në pronësi, qoftë ai në krahun jugor të spitalit, ashtu dhe i madhi pas Spitalit të Traumës, janë mbi 250 vende parkimi.
Përllogaritja e fitimit
Sipas një llogarie të thjeshtë 250 vende parkimi shumëzim për 100 lekë ora, janë të barabarta me 25.000 lekë në orë.
250 x 100 = 25.000
Por nëse këto vende lirohen të paktën 4 herë në ditë, pasi automjetet lëvizin atëherë kemi: 25.000 x 4 = 100.000 lekë (të reja) në ditë. Po këtë shumë po ta shumëzojmë me numrin e ditëve të një muaji, pra:
100.000 x 30 = 3.000.000
Kështu na del se në një muaj (pasi spitali nuk rri bosh asnjëherë) shumë e fituar nga ky parkim është 3 milionë lekë të reja. Nëse këtë shumë e shumëzojmë për 12 muaj të një viti (365 ditë), na del se në një vit “Spitali Amerikan 1” me të gjithë vend-parkimet me pagesë që i ka marrë Spitalit të Traumës, fiton plot 36 milionë lekë të reja (360 milionë lekë të vjetra).
Me këtë shumë parash, pra 36 milionë lekë fitim në vit nga vendet e parkimit, shteti mund të kishte nisur ndërtimin e një parkimi të ri në fushën prapa Spitalit të Traumës, ku nëse ai do të kishte dy kate nën tokë dhe një mbi tokë, do të mbante të paktën (200 – 250 x 3 kate = 700 – 750 automjete).
Vetëm fitimi ditor, mujor dhe vjetor, pas një viti pune, do ti nxirrte shtetit koston e punës për ngritjen e këtij parkimi. Por për fat të keq, të gjitha këto para shkojnë në xhepin e “Spitalit Amerikan 1”, që përveç se nuk paguan as qiranë për ambientet që ka në posedim nga prona shtetërore, nxjerr fitime edhe nga kjo pronë që duhet të ishte në shërbim të qytetarëve që halli i detyron të shkojnë në Spitalin e Traumës.
Vijon…/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016