Pas publikimit të të dhënave personale për votat, një tjetër skandal është publikuar ditën e sotme në media, ku tashmë janë bërë publike pagat e 637.138 tatim-paguesve shqiptarë.
Në listën që mediat e disponojnë të plotë, janë edhe pagat e krerëve të politikës shqiptare, që nga kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, apo kryedemokrati Lulzim Basha.
Me pagën më të lartë rezulton të jetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili rezulton se merr 257 000 mijë lekë, i ndjekur nga kryeministri Edi Rama me një pagë mujore prej 228 730 lekë.
Të dhënat personale të më shumë se 630 mijë personave ku përfshihet paga, numri i ID-së, kompania ku punon, madje edhe se sa orë në javë punon, janë tashmë të aksesueshme edhe nga qytetarët e thjeshtë.
Lista në një format excel e ruajtur me shënimin “Rrogat Janar 2021”po qarkullon prej mbrëmjes së djeshme në aplikacionin Whatsapp dhe gjithkush mund të kërkojë për rrogën e dikujt tjetër, mjafton të vendosë emrin e tij të saktë.
Lista me 637.138 emra punonjës në sektorin shtetëror dhe atë privat fillon me personat që janë të paguarit në vend.
Ajo që bie në sy është fakti që më i paguari zyrtarisht në vend është një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili në kolonën emër mbiemër identifikohet si “Anonymous Anonymous” dhe rezulton se merr një pagë mujore prej 58,074,817.00 lekë.
Institucioni shtetëror që e ka hartuar këtë listë, për shkak të të dhënave sensitive të këtij personi që punon në SHISH, ka bërë kujdes që në kategoritë “Profesioni” dhe “Kategoria” të mos e specifikojë atë duke vendosur shënimin “E papërcaktuar”.
Në 22 personat më të paguar në Shqipëri, rezulton se 5 persona punojnë në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe pagat e tyre varjoinë nga 4 milionë lekë deri në 9 milionë lekë në muaj.
Prokuroria ka nisur tashmë verifikime për të hedhur dritë mbi këtë skandal të mundshëm, të ngjashëm me atë të publikimit të të dhënave të zgjedhësve, i ashtuquajtur skandali i patronazhistëve.
Prokuroria po heton për autenticitetin e kësaj liste dhe burimin e saj, që dyshohet se janë sigurimet shoqërore ose drejtoria e Tatimeve.
/Priza.al/