Skandali me shërbimin e dializës/ Spitali Amerikan, zotëron monopolin e shërbimit, dhënë nga shteti. Konkurrenca, e pafuqishme të prishë skemën    

Në Shqipëri shumë shërbime jetike të financuara me paratë e taksapaguesve janë në dorë të subjekteve private, që duke përfituar nga ujditë e niveleve të larta, i trajtojnë ato si monopole.

I tillë është edhe shërbimi për të sëmurët me veshka që janë në stadin e fundit të funksionimit të këtyre organeve dhe i nënshtrohen me detyrim hemodializës.

Këtë shërbim prej vitesh e ka përfituar mbi një skemë të dyshimtë klienteliste “Spitali Amerikan”, i cili në vitet e fundit për të sfumuar zhurmën që është bërë në media të ndryshme në lidhje me problematikën e këtij monopoli.

Për të bërë edhe një lojë për dokumentet, me qëllim që të jenë formalisht në rregull edhe me shtetin, “Spitali Amerikan” shpiku edhe një tjetër aksioner të cilit i ka dhënë një pjesë të këtij shërbimi, “Spitalin Internacional” dhe kompaninë “DiaVita”, por që pas të cilave qëndrojnë të njëjtët aksionerë me “Spitalin Amerikan”.

Kohët e fundit kjo gjë është bërë edhe objekt ankesash dhe pakënaqësish nga pacientët që marrin vazhdimisht këtë shërbim, si dhe është marrë përciptas nën “hetim” nga disa institucione shtetërore.

Por duket se aksionerët e “Spitalit Amerikan” dinë të “zgjidhin” çdo lloj problemi kur atyre u futet në lojë apo u pengon rrugën ndonjë institucion shtetëror. Kjo edhe falë mbështetjes që ata gjejnë vazhdimisht nga institucione të larta, ministra apo deputetë.

Edhe së fundi me gjithë se Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetimin për pozitat dominuese në treg dhe ato monopol, kundrejt “Spitalit Amerikan”, duket se emri dhe lidhjet e këtij biznesi, e kanë bërë të pafuqishëm ndikimin e AK-së, e cila është mjaftuar vetëm me disa këshillime në raportin e saj të fundit, por pa marrë masa gjobash.

Fuqia e “Spitalit Amerikan” i mbyll gojën AK-së

Autoriteti i Konkurrencës mbylli zyrtarisht në muajin shtator një hetim të përgjithshëm në tregun e shërbimeve spitalore në Shqipëri.

Hetimi u përqendrua sidomos në analizën e paketave të shërbimeve spitalore që financon Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Fondit të Sigurimeve, që të sigurojë shpërndarje në mënyrë të drejtë të paketave të shërbimeve, të parashikuara në vendimin përkatës të këshillit të Ministrave të vitit 2014, duke i vendosur të gjithë ofruesit (spitalet jopublike) në treg në kushte të favorshme konkurruese.

Sipas VKM-së në fjalë, FSDKSH financon shpenzimet për disa paketa, të ofruara në shërbimin spitalor, ku përfshihet paketa e shërbimit të dializës, paketa e shërbimeve të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, paketa e shërbimeve të transplantit të veshkave, paketa e shërbimit të implantit koklear dhe paketa e trajtimit të kataraktës.

Financimi i paketave dhe mbulimi i shërbimit shëndetësor nga të gjitha institucionet shëndetësore (publike dhe jopublike), i bën të konkurrueshëm ofruesit e shërbimit.

Në zbatim të pikës 2 të VKM të sipërcituar, Këshilli Administrativ i Fondit ka miratuar vendimin nr. 88 datë 09.07.2014 “Për rregullat, kriteret dhe mënyrën e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Paketave të Financuara nga Fondi”, i ndryshuar, ku në pikën 11 të tij citohet: “Në rast se në ditën e përcaktuar nuk ka vende të lira në institucionet e shëndetit publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i Fondit bën regjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore jopublike të kontraktuara nga Fondi”.

Monopoli i dializës

Mes paketave të financuara nga FSDKSH, më e rëndësishmja është ajo e dializës.

Mbështetur mbi informacion e depozituar nga Fondi, shërbimi i dializës ofrohet nga spitalet publike dhe jopublike nëpërmjet paketave të rimbursuar nga Fondi dhe nga shoqëria “DiaVita”, si mbajtëse e kontratës së koncesionit, e cila duhet të mbulojë me shërbimin dializës të sëmurët në disa rrethe.

Ofruesit më të mëdhenj të këtyre shërbimeve, janë Spitali Amerikan dhe Spitali Internacional (që zotërohet po nga Spitali Amerikan) dhe kompania “DiaVita”, si zbatuese e kontratës së koncesionit të dializës.

Për shërbimin e dializës, aplikohen dy tarifa, përkatësisht me 11.203 lekë/pa TVSH për çdo seancë të ofruar nga koncesionari “DiaVita” dhe 12,106 lekë/pa TVSH për çdo seancë të ofruar nga spitalet private dhe publike.

Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim të lartë duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik. Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare ndërkohë që në spitalet publike shërbimi ofrohet vetëm pranë QSUT-së, e cila mbulon vetëm një pjesë të vogël të kërkesës.

Duke vlerësuar strukturën e tregut, AK ka arritur në konkluzionin se “Spitali Amerikan” dhe “Spitali Internacional”, zotërojnë pozitë dominuese në tregun e shërbimit të dializës. Për dhënien e shërbimit të dializës, ka pengesa në hyrje për shkak të nevojave për investime fillestare, sigurim të stafit mjekësor dhe ndihmësmjek dhe ambienteve akomonuese për dhënien e shërbimit.

Pjesa e madhe e tregut që zotërojnë “Spitali Internacional” dhe ai “Amerikan” shërben si tregues për ekzistencën e barrierave, për hyrje dhe zgjerim në këtë treg.

Mungesa e hyrësve të rinj në këtë shërbim, tregon që konkurrenca potenciale është e ulët, e ndikuar kjo nga investimet e rëndësishme të kryera për këtë shërbim, me të cilat hyrësit e rinj dhe konkurrentët duhet të përshtaten.

Në përfundim të vlerësimit të strukturave të tregut për paketat që mbulohen nga Fondi konstatohet se nuk ka ndarje të barabartë të shërbimeve mes spitaleve jopublike sipas parashikimit të VKA nr. 88 datë 09.07.2014 “Për rregullat, kriteret dhe mënyrën e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Paketave të Financuara nga Fondi”, i ndryshuar.

“Spitali Amerikan” dhe ai “Internacional”, kanë përfituar fondet më të mëdha të financuara nga shteti për paketat e parashikuara në VKM nr. 308/2014. Mbështetur në këtë argumentim, AK ka kërkuar nga FSDKSH-ja që të shpërndajë në mënyrë të drejtë paketat e shërbimeve, duke i vendosur të gjithë ofruesit e shërbimeve në kushte të drejta konkurruese.

/Burimi Autoriteti i Konkurencës/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *