Skandali me Spitalin e Traumës/ Afera e disa qeverive me ‘Spitalin Amerikan’ në kurriz të pronave publike dhe qytetarëve

Politikanët janë të gatshëm që në këmbim të parave të shesin dhe të japin çdo gjë, edhe kur ajo gjë ka interesa të larta për vendin. Një rast i tillë është edhe afera që është sofistikuar dhe trashur vit pas viti me Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ish-Spitali Ushtarak.

Edhe pse është i vetmi spital i këtij lloji në të gjithë vendin, Spitali i Traumës, mund të thuhet se është “traumatizuar” pikërisht nga “Spitali Amerikan”, cili duke gjetur “mirëkuptimin” e ministrave të qeverive të ndryshme ndër vite, ka arritur që të marrë jo vetëm hapësira brenda spitaleve shtetërore, por edhe shërbime shumë të domosdoshme.

I tillë është edhe shërbimi i hemodializës që fillimisht bëhej në QSUT dhe më pas i kaloi si një “trofe” ose ofertë bujare nga qeveria demokratike, “Spitalit Amerikan 1”.

Kështu, shqiptarët kanë paguar dy herë për një shërbim shëndetësor, një herë kanë paguar taksat dhe më pas, ministra dhe ish-ministra të Shëndetësisë, kanë bërë pazar me “Spitalin Amerikan”, duke i dhënë që të ofronte shërbimin e hemodializës dhe duke i ndarë më pas paratë përgjysmë.

Skema korruptive e ndjekur nga “Spitali Amerikan” me ministrat shqiptarë

Skema korruptive që është ndjekur nga “Spitali Amerikan” ndër vite është e njohur, por deri më sot, nuk ka pasur prokuror dhe Prokurori që të kenë guximin dhe integritetin e duhur, për të çuar para togave të zeza njerëzit e këtij spitali, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Ekonomisë, drejtorët e Spitalit Ushtarak etj.

Të gjithë këta kanë të paktën vite që përfitojë nga paratë publike dhe nga zaptimi i ambienteve publike, duke favorizuar “Spitalin Amerikan”.

Sipas auditimit të KLSH-së, konstatohet se, gjatë vitit 2013 dhe 2014 nga SUT, referuar urdhrave të Ministrit të MZHETS dhe të Ministrit të Shëndetësisë, janë prishur kontratat e lidhura me subjektet private për dhënien me qira të ambienteve të spitalit.

“Si rezultat i ndërprerjes para kohe të këtyre kontratave, SUT jo vetëm është në procese gjyqësore të zgjatura me katër subjekte, të cilat kanë kërkuar “të ardhura të munguara”, por ambientet e saj janë të bllokuara nga përmbaruesit gjyqësorë dhe të papërdorshme, në një kohë që ky shërbim spitalor ka nevojë të domosdoshme për ambiente.

Për sa më sipër, trajtuar në faqe 49 të Raportit Përfundimtar të Auditimit, KLSH-ja  rekomandonte: “Nga Spitali Universitar i Traumës, të merren të gjitha masat për ndjekjen e procedurave ligjore të mëtejshme, deri në lirimin e ambienteve dhe përdorimin e tyre për nevojat e Spitalit, si dhe të kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë për zgjidhjen ligjore të kësaj situate”,- thuhet në raport.

Tenderi i dializës

Në një raport të mëparshëm, KLSH kishte konstatuar se ish-ministri i Brendshëm, Arben Imami, me urdhrin nr. 171, datë 05.02.2010, kishte urdhëruar prokurimin e shërbimit të dializës, në shkelje flagrante të ligjit.

“Ministri i Mbrojtjes, me urdhrin nr. 171, datë 05.02.2010, ka urdhëruar Repartin Ushtarak 4666, me fondet buxhetore te miratuara për vitin 2010, të përballojë shpenzimet për shërbimin e dializës për ushtarakët aktivë të FA, si edhe ka urdhëruar Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU) të veprojë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore fuqi për prokurimin e shërbimit te dializës.

Tenderi është zhvilluar ne datën 09.04.2010, me procedurë me ‘negocim pa shpallje të kontratës’ me fond limit 94.507.560 lekë pa TVSH. Në tender është ftuar të marrë pjesë vetëm operatori ekonomik ‘UNIVERS-ALB’. Ky operator ka dalë fitues dhe në datën 15.04.2010 është lidhur kontrata e zbatimit ndërmjet SUQU dhe këtij operatori ekonomik”,- thuhet në raportin e KLSH.

Çfarë është ‘Spitali Amerikan’?

“Spitali Amerikan” është një grup klientelist, që ka marrë ambiente publike, ka punësuar mjekë të QSUT-së, dhe që ofron disa shërbime që duhet t’i ofronte QSUT-ja, duke marrë para nga taksat e shqiptarëve.

Mjekët e përdorin spitalin publik si vend ku sigurojnë “myshterinj”, për t’i çuar më pas si klientë-pacientë në “Spitalin Amerikan”, ku veç pagës së dytë përveç asaj të shtetit, ata marrin edhe bonuse shpërblim, për numrin e klientëve dhe në varësi të ndërhyrjeve dhe shërbimeve që ata marrin, sipas shumës së faturave.

Ndërkohë, brenda “Spitalit Amerika”, veç atyre të servirura nga mjekët e shtetit të dypunësuar, ka edhe një sërë metodash për të rrjepur njerëzit nga paratë. Me paratë e pandershme bën edhe reklama për të mashtruar sa më shumë njerëz.

Prej  disa ditësh, “Priza.al” ka nisur zbardhjen e disa shkeljeve flagrante të veprimtarisë korruptive ndër vite të “Spitalit Amerikan”, duke grabitur pronat, ambientet, shërbimet dhe paratë publike.

Më pas do të dalin zyrtarët që janë korruptuar nga “Spitali Amerikan”, kontratat skandaloze të Ministrisë së Ekonomisë me këtë spital për lëshimin e ambienteve me qira, etj.

Brenda Spitalit të Traumës, “Spitali Amerikan” lidhi fillimisht një kontratë për të marrë ambiente me qira disa ambiente të ish-Spitalit Ushtarak. Sipas zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar të shtetit, këto ambiente ishin të padobishme.

Afera qëndron në faktin se, “Spitali Amerikan”, në bashkëpunim me drejtorët e Spitalit Ushtarak dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë, kë rrëmbyer ambiente të tjera në Spitalin e Traumës, për llogari të biznesit të tij.

Më pas, “Spitali Amerikan” ka bërë edhe ndërtime pa leje brenda Spitalit të Traumës. Më tej, ka bërë edhe lokale, parkingje etj., në pronën shtetërore pa paguar asgjë. Më vonë, ka nisur të ofrojë edhe shërbime që mund t’i ofronte spitali shtetëror. Shkeljet janë të dokumentuara.

Një pjesë të aferave janë të dokumentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por asgjë nuk ka ndryshuar. Paratë, interesat dhe babëzia e një grupi ka dominuar mbi ligjet, interesin publik dhe frikën se drejtësi do të veprojë një ditë.

Vijon…./Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *