Skandali në Akademinë e Sigurisë/ Zbulohen detajet e reja, ja pse u arrestua pedagogu Gurra

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arrestimin e pedagogut të Akademisë së Sigurisë në Tiranë. Shërbimi i i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave bën të ditur se Qetsor Gurra dhe inspektori me inicialet D. L., kishin muaj që ishin vënë nën hetim.

Ata akuzohen se kanë ushtruar ndikim për të favorizuar kandidatë që donin të fitonin gradën e ‘Nënkomisarit’ në polici. Hetimet janë bërë nga SPAK.

Njoftimi i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat:

Sot, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilin është vendosur masa e sigurimit personal ‘Arrest me burg’ për punonjësit e policisë:

– Kryekomisar Qetsor Gurra, me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë;

– Inspektor D. L., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, kandidat në procesin e konkurrimit për gradën ‘Nënkomisar’.

Vendimi i GJPKKO për masën e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë u mor pas hetimeve disa mujore të kryera nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, në funksion të procedimit penal Nr. 382/2021 për veprat penale të ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’, parashikuar përkatësisht nga nenet 245/1 dhe 186/1 i Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të kryera në përdorim të metodave speciale, u bë e mundur të dokumentohej me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të policisë, e cila konsistonte në dhënien e premtimeve dhe kryerjen e veprimeve konkrete për të favorizuar në mënyrë të padrejtë kandidatët që konkurronin në testimin për gradën ‘Nënkomisar’ në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.

Subjektet e këtij procedimi penal, në procesin e konkurrimit kanë depozituar dhe përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurrentëve.

Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve.

Veprimet dhe aktet proceduriale u referuan në SPAK. Hetimet vazhdojnë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *