SKANDALI/ Prokurorja Silvana Lule, hetoi dhe mbylli çështjen e bashkëshortit Florian Hajdini për shpërdorim detyre si drejtor i ASHK. Vettingu “mbylli” sytë, a do marrë masa ILD?

 

Silvana Lule
Silvana Lule

Në vitin 2015 një denoncim për një rast abuzimi dhe shpërdorimi detyre u bë pranë prokurorisë së Tiranës. Të paditur ishin një grup drejtuesish dhe specialistësh të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK Tiranë), dhe në krye të skemës së denoncuar ishte drejtori i asaj kohë Florian Hajdini.

Florian Hajdini në cilësinë e drejtorit dhe specialistët vartës të tij, përfunduan disa të arrestuar dhe disa të arratisur për veprime skandaloze në kryerjen e detyrës. Të pandehurit kanë pajisur me leje legalizimi plot 7 objektet të cilat u prishën krah Korpusit të Universitetit të Tiranës. Objekte të cilat përveçse ishin ndërtuar në hapësirë publike dhe pa asnjë leje, ishin edhe në zonë të mbrojtur nga Monumentet e Kulturës. Se sa miliona euro  kushtoi taksapaguesve veprimet e Florian Hajdinit dhe miqve të tij, nuk e morëm vesh asnjëherë, sepse për këtë u kujdes prokurorja Silvana Lule.

Pjesë nga komunikata e drejtorisë së Policisë Tiranë më datë 19.01.2015
Pjesë nga komunikata e drejtorisë së Policisë Tiranë më datë 19.01.2015

Prokurorja e prokurorisë së Tiranës, Silvana Lule është bashkëjetuesja e shtetasit Florian Hajdini. Zonja Lule si pjesë e trupës së prokurorëve të Tiranës, ka dyshime të forta (ndoshta diku edhe prova) se ka ndërhyrë dhe ndikuar që hetimi për bashkëshortin e saj të devijojë në të tjera udhë.

Edhe pse për shtetasin Florian Hajdini u lëshua një urdhër arresti që nuk u ekzekutua asnjëherë, me një procedurë të paprecedentë, këtij shtetasi iu ndryshua masa e sigurisë në mungesë. Një praktikë që nuk është aplikuar në asnjë rast të ngjashëm me përjashtim të rastit po ta kesh bashkëshorten prokurore.

Por duke tentuar të ndihmojë bashkëshortin e saj t’i shpëtojë fillimisht prangave e më pas komplet telashit, zonja Silvana Lule përveçse kreu një “detyrë” humane si bashkëshorte, njëkohësisht “minoi” karrierën e saj dhe besimin e publikut tek organet e drejtësisë.

Procesi i Vettingut nisi si një kërkesë emergjente që njerëzit që vendosin drejtësinë të testohen në tre komponentë. Në kriterin profesional, pasuror dhe pastërtisë së figurës.

Janë larguar nga procesi i Vettingut me dhjetëra prokurorë dhe gjyqtarë thjesht sepse kanë patur një “kontakt të papërshtatshëm”. Janë flakur në rrugë njerëz të cilët me guxim i kanë rënë çekiçit thjesht se diku kanë pirë një kafe apo takuar dikë rastësisht dhe ky dikushi na paska patur probleme me drejtësinë.

Kjo “rreptësi” edhe pse pak e pazakontë për Shqipërinë, sërish ishte një zgjedhje e duhur. Por është një zgjedhje e duhur, nëse ky precedent do të trajtohej për të gjithë njësoj.

Zonja Silvana Lule, me gjithë këto bëma arriti ta kalojë procesin e Vettingut duke u konfirmuar në detyrë.

Por zonja Silvana Lule duhet të ishte në mënyrë të padiskutueshme jashtë sistemit të drejtësisë. Në datën 18.05.2016 Florian Hajdini bashkëshorti i prokurores u dënua për akuzat e mësipërme me burg nga gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Më pas në datë 17.04.2018 shtetasi Florian Hajdini në gjykatën e Apelit ka arritur të prishë vendimin e shkallës së parë, por gjithshka e prish Gjykata e Lartë.

Më datë 19 dhjetor 2023 kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni vendosën të prishin vendimin e apelit dhe të lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për shtetasin Florian Hajdini.

Situatën e rëndon fakti se zonja prokurore Silvana Lule është konfirmuar në detyrë nga KPK ndërkohë që ky gjykim ndaj bashkëshortit të saj ishte në vijim. Minimalisht, duhej ndërprerë vendimmarrja për rastin e prokurores deri në momentin që drejtësia të fliste përfundimisht për bashkëshortin e saj.

Pjese nga vendimi i Gjykates së Lartë
Pjese nga vendimi i Gjykates së Lartë
Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Lartë
Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Lartë

Por duke qenë se KPK nuk e çmoi të arsyeshme të tregonte barazi për të gjithë, me përfundimin e mandatit të KPK në fund të këtij viti, barra e “drejtësisë” për drejtësinë do t’i kalojë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Rasti i prokurores Silvana Lule duket se do të jetë prova e parë e zjarrit për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, i cili duhet të tregojë nëse frika e partnerëve që kanë asistuar procesin e Vettingut se ky proces nuk do të pësojë rënie është me baza apo jo.

Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë do t’i duhet për rastin e Silvana Lules të hetoje edhe pretendimet se kjo prokurore ka marrë pjesë në mënyrë aktive në hetimet ndaj bashkëshortit të saj Florian Hajdini.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do të ketë shpejt mundësinë të tregojë se është një “drejtësi vendosëse” brenda drejtësisë, apo është pjesë e apendiksit të infektuar të një sistemi që rrezikon kalbjen totale pasi metastazat si rasti i sipërpërmendur kanë dalë jashtë kontrollit./Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *