Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka thotë se pas skandalit të Ramës me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal, synimi i opozitës është largimi i kryeministrit.
Sipas Nokës, Shqipëria nuk do të ketë paqe derisa të largohet, armiku i votës së lirë.
I ftuar në News24, ai u shpreh se protestat do të jenë kapilare, ndërsa u shpreh se javës që vjen do të diskutohet me aleatët dhe do të mblidhen strukturat për të përcaktuar veprimet e mëtejshme.
“Shqipëria do të gjejë paqe ditën që ky mafioz të largohet. Ne kemi një axhendë, axhenda ishte vota e lirë, në Shqipëri vota e lirë duhet të kthehet se s’bën. Edi Rama votën e lirë e ka kthyer në mall tregu, nuk e njeh. Vota e lirë është e shenjtë. Rama e trajton votën e lirë si të ishte të pazari i gjësë së gjallë. Parlamenti është një nga instrumentet që në dorë PD ka për të kthyer legjitimitetin dhe institucionet. Përveç parlamentit do të shfrytëzojmë edhe forma të tjera. Mafia nuk mund të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve.
Protestat kapilare tashmë, do mblidhen strukturat e partisë do konsultohemi më aleatet javës që vjen dhe pastaj Shqipëria nuk ka paqe derisa të largohet armiku i votës së lirë dhe armiku i demokracisë”, tha Noka.
Noka komentoi edhe seancën e një dite më parë, ku zgjati vetëm pak minuta, pasi opozita bllokoi foltoren pasi kërkonte qe ne parlament te ishte i pranishëm kryeministri Rama dhe te ndryshonte axhenda e diskutimeve.
“Të gjitha mediat botërore të alarmuara për këtë mega-skandal, në Shqipëri e trajtonin sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Një mega-skandal po ziente për kryeministrin e Shqipërisë, parlamenti noterizonte vjedhjet e kryeministrit. Ne si opozitë do kërkonim që të ndryshonte axhenda. Kryeministri është kapur në flagrancë duke korruptuar zyrtarin e FBI. Duhet të kthehej në kryeaxhendën e një parlamenti. E gjitha bota diskutonte për aferën e kryeministrit të Shqipërisë, kurse në Shqipëri nuk diskutohet”, u shpreh Noka.