Sot shqiptarët dëgjuan Live nga TV, thënë nga vetë goja e kryeministrit Rama në Parlament se, rruga e “Arbrit”, një vepër shumë e kushtueshme infrastrukturore, do të jetë gati për në festat e nëntorit të këtij viti, pra fiks për 1 muaj.
Ai e bëri të ditur këtë lajm gjatë replikave me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje paradite.
“Me mendjen tuaj Shqipëria mbeti aty ku ishte, por faktet flasin dhe në 29 Nëntor do të hapet rruga e ‘Arbrit’ që të kalojnë njerëzit me të vetmin problem, që në qafën e Murrizit për shkak të problemit gjeologjik të tunelit që ka krijuar vonesa të mirëdokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati. Ja çfarë bën këtu Lulzim, PPP-ja”,- tha Rama.
Më pas, në një status në Facebook, kryeministri njoftoi se një ditë para inaugurimit të rrugës së ‘Arbrit’, në 28 nëntor do të nisin punimet edhe për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Këtë gjë kryeministri Rama nxitoi ta ndante me ndjekësit e tij edhe në rrjetet sociale ku krahas postimit të dy fotove nga dy veprat në fjalë, ai shkruante:
“28 nëntor- Hapet kantieri i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. 29 nëntor- Hapet për qarkullim Rruga e Arbrit”.
Kështu është shprehur edhe më herët si vet ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe kompania që po punon për ndërtimin e kësaj vepra “Gjoka Construksion”. Madje kjo e fundit ka nisur që të reklamojë lart e poshtë se, “ka bërë një punë kolosale në këtë aks dhe se do ta mbylli punimet shumë shpejt”.
Disa herë radhazi “Priza.al” ka sjellë shkrime dhe raportime nga kjo vepër e madhe infrastrukturore, duke treguar problemet e shumta si të punimeve, ashtu edhe të abuzimeve të kompanisë “Gjoka” me këtë vepër.
Por edhe sot “Priza.al” do të sjellë edhe një herë me fakte, dokumente dhe shifra, faktin se rruga e “Arbrit”, nuk mbaron dot brenda afateve të shpallura këtë vit nga qeveria, madje as vitin që vjen, por si për ironi vitin që vjen pra në 2022, është parashikuar edhe një fond tjetër i konsiderueshëm për këtë vepër prej të paktën 25 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.
Puna problematike në rrugën e “Arbrit” dhe abuzimet e kompanisë “Gjoka”
Qeveria deklaroi fundin e punimeve për festat e nëntorit, por a do të përfundoi vërtetë rruga e “Arbrit” këtë vit? Koncesionari i rrugës së “Arbrit”, kompania “Gjoka” pritet të përmbyllë punimet këtë vit duke e konsideruar veprën në fjalë të “kryer”, pas përfitimit për këtë punë të një vlere investimi prej 31 miliardë lekësh ose 253 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, që “Priza.al” disponon, nga viti 2018 deri në fund të këtij viti, kompania ka investuar 26 miliardë lekë dhe 5.2 miliardë lekë do të investohen deri në pranverën e vitit që vjen, pra viti 2022, kur në fakt është edhe afati për dorëzimin e veprës.
Ndërkohë vlera e plotë e kontratës së rrugës së “Arbrit” është e paqartë për arsye se, Ministria e Financave, raportoi vlera të ndryshme në dokumente të ndryshme që burojnë nga drejtoritë e saj.
Në raportin vjetor të koncesioneve 2020, që u hartua nga Ministria e Financave, vlera e investimit për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” raportohet 26 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave (projektet e investimeve) për arsye të pagesave e ka kontabilizuar kontratën e Rrugës së Arbrit me 39 miliardë lekë.
“Akrobacira” me rialokimin e fondeve nga Ministria e Financave
Në buxhetin e vitit 2019 Ministria e Financave e riprogramoi financimin e Rrugës së Arbrit në 58 miliardë lekë në projektbuxhetin që paraqiti në parlament.
Por situata e punimeve në terren të financuara nga Ministria e Financave, tregon se rruga do të përmbyllet me një investim prej 31 miliardë lekësh (253 milionë euro), ndërkohë që Ministria e Financave i ka paguar deri tani kompanisë 8 miliardë lekë (sipas të dhënave zyrtare).
Referuar një shkrimi për këtë vepër infrastrukturore, botuar disa javë më parë në profesionalen “Monitor.al”, thuhej se “Kontrata e ndërtimit nisi në vitin 2018 dhe përfundon në vitin 2031, gjatë të cilit do të realizohet edhe gjithë pjesa e financimit (pagesës ndaj ndërtuesit) nga qeveria”.
Sipas “Monitor.al”, Ministria e Financave raportoi se aktualisht, projekti është në fazën e ndërtimit, fazë e cila është parashikuar të realizohet në katër vite (2018- 2022). Pra referuar këtyre të dhënave që publikohen nga “Monitor.al” dhe bazohen te të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, del se rruga e “Arbrit” nuk përfundon në 29 Nëntor, siç do që ta inaugurojë qeveria dhe kryeministri, por me kësmet vitin që vjen, pra në vitin 2022, nëse gjithçka do të shkojë normalisht.
(Burimi: Ministria e Financave)
Sa punime janë bërë në rrugën e “Arbrit”
Deri në fund të vitit 2020, sipas të dhënave zyrtare, është realizuar 65% e volumit të punimeve të ndërtimit, rreth 5 pikë përqindje më pak se sa ishte parashikuar gjatë kësaj periudhe, për shkak të pezullimit të punimeve në tunelin e Murrizit dhe punimeve në skarpata për segmentet numër 2 dhe numër 4.
Shoqëria koncesionare ka përfunduar montimin e “Urës së Vashës”, nënshtresat dhe vendosjen e rrethimit anësor, e cila ka bërë të përshkueshme rrugën nga fshati Fshat në Maqellarë. Puna ka vijuar edhe në tunelet dhe shtresat e segmenteve.
Për sa i përket llojit të financimit, ky projekt “koncesionar/PPP”, është me mbështetje buxhetore, pagesat e të cilit fillojnë nga viti 2019. Autoriteti Kontraktues ka përmbushur detyrimin e pagesës për realizimin e punimeve të ndërtimit mbi 25% të ecurisë së punimeve dhe do të kryejë pagesat në vijim sipas modelit financiar.
Pagesat faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 2.7 miliardë Lekë, duke rezultuar me një realizim prej 100% nga plani vjetor 2020, të cilat konsistojnë në “Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje”, dhe “Supervizionim Kontrate”.
Por në një kohë që shteti pagesat i kryen 100%, siç edhe raporton, koncesionari i rrugës së “Arbrit”, pra kompania “Gjoka”, punimet në çdo segment ose “lot” i ka kryer me mangësi dhe mungesa të shumta, pa përmendur këtu cilësinë, e cila do të duket sapo rruga të hapet për qarkullim.
(Burimi: Ministria e Financave)
Pagesa për rrugën e Arbrit edhe në vitin 2022
Fatura e pagesave buxhetore ndaj kontratave koncesionare në vitin 2022 do të zgjerohet me 11.3% në krahasim me planin e këtij viti, duke arritur një vlerë prej 13,8 miliardë lekësh ose 112 milionë eurosh, sipas programit të paraqitur në projektligjin e “Buxhetit 2022”, që tashmë është në Kuvend.
Koncensionet në infrastrukturën rrugore do të kushtojnë rreth 4,1 miliardë lekë ose 31% e pagesave totale edhe për vitin 2022.
Për vitin që vjen, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% e të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2021, është rreth 22.95 miliardë lekë, por vlera e parashikuar për t’u paguar është 13.8 miliardë lekë, ose 3.3% të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2021, prej rreth 459.1 miliardë lekë.
Siç shihet nga të dhënat, mbi 5 miliardë lekë ose 37% e fondit total për koncesionet për vitin 2022, do të shkojnë për pagesat e dy koncesioneve, rrugës së Arbrit me 3 miliardë lekë ose 30 milionë dollarë të tjera dhe koncesionit të Skanimit në Dogana me 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë. Kosto e pagesave për koncesionin e Skanimit rritet me 29% vitin që vjen.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016