Skandali/ Zgjedhjet mbaruan, votat u numëruan, por dy partitë opozitare i lanë vëzhguesit dhe komisionerët pa i paguar

Ata u paraqitën me dëshirë për të ndihmuar partitë respektive me shpresën se po të fitonin zgjedhjet, diçka më shumë do të hapej për ta si perspektivë. Po ashtu, shumë prej tyre u bënë pjesë e punëve elektorale edhe me mendimin se do të kontribuonin që votat e elektoratit të tyre nuk do të prekeshin, duke u bërë kështu garantues të votës dhe verdiktit të qytetarëve.

Por puna e vështirë që morën për sipër edhe pse zgjaste vetëm disa ditë për disa dhe një ditë të vetme për pjesën tjetër, ishte një përgjegjësi mjaftë e madhe dhe në rast se gjërat nuk do të shkonin mirë, ata mund të përballeshin me ligjin dhe me burgun.

Fjala është për komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit e dy partive kryesore të opozitës, PD-së dhe LSI-së, të cilët u regjistruan sipas listave që çuan dy partitë në KQZ-ë dhe në bazë të ligjit ishin “të punësuar” për pak ditë gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.

Por me të mbaruar zgjedhjet dhe pasi përfundoi edhe numërimi i kutive, siç bëjnë gjithmonë partitë politike, PD-ja dhe LSI-ja u kthyen krahët edhe atyre që u vunë në dispozicion të garantimit të procesit, duke rrezikuar edhe lirinë e tyre, përveç shumë problemeve dhe peripecive të tjera.

LSI-ja më shumë por edhe PD-ja, lanë pa i paguar shumë nga komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit, të cilët në një pjesë dërmuese ishin të rinj ose të papunë që prisnin të merrnin edhe atë pak kontribut financiar që do të ndahej mes KQZ-së dhe partive respektive.

“Priza.al” ka mësuar se as KQZ-ja dhe as dy partitë opozitare, nuk u kanë dhënë shpërblimin financiar “punëtorëve elektoral”, por vetëm një pjesë e vogël e tyre, ata që kanë qenë me të afërt me drejtuesit e zyrave lokale, dhe më shumë tek Partia Demokratike, kanë marrë shpërblimet që u takonin.

Ndërkohë situata në Lëvizjen Socialiste për Integrim ka qenë “më dramë”, pasi shumë “punëtorëve elektoral” u ishte premtuar nga 5 deri në 7 mijë lekë “shpërblim monetar” nga partia, për t’u angazhuar në komisionet zgjedhore. Por duket se me t’u mbyllur dita e votimeve, askush nuk u ka hapur më as telefonat dhe as u ka dhënë asnjë pagesë.

Duket disi e çuditshme kjo për një parti si LSI-ja që e konsideronte veten si “e fjalës së mbajtur”, “partia e punësimeve” apo “partia që nuk harron askënd”, por që duket se tashmë paska qenë keq edhe për ca fonde mikroskopike të dhëna për më tepër nga buxheti i shtetit.

Plas SKANDALI! Zbardhet skema e blerjes se votës nga LSI, qytetarët japin ID-në kundrejt pagesës, ja sa para merrnin për 1 votë - URBAN Lajme

Si nisi mashtrimi

“Priza.al” ka mësuar se mjaftë të rinj të angazhuar ato ditë pranë LSI-së, kanë nisur që të interesohen që në ditët e para pas 25 prillit, se si dhe kur do t’u bëhet pagesa për ditët që punuan si komisionerë, vëzhgues apo edhe numërues në Qendrat e Numërimit.

Por nga zyrat lokale të LSI-së jo vetëm në rrethe por edhe në Tiranë, ju tha se pagesat do t’ua bënte KQZ-ja dhe se do të ndaheshin në zyrat e Postës Shqiptare.

Kujtojmë se të gjithë personat që u angazhuan nga të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në garën elektorale të 25 prillit, për të dhënë kontributin në komisionet zgjedhore apo në procesin e numërimit, kishin çuar ditë më parë dokumentet e identifikimit dhe të dhëna të tjera pranë KQZ-së dhe ishin të regjistruar dhe të skeduar, madje edhe të pajisur me distiktiva personal identifikues.

Por në një kohë që KQZ-ja po merret me vijimin e procesit të kontestimeve dhe me angazhime të tjera, duket se e harroi kërkesën që bëri ditë para 25 prillit për angazhimin e qytetarëve në këtë proces.

Jo vetëm KQZ-ja ka treguar moskorrektësinë e saj, por më e ulët është sjellja e stafeve të dy partive politike PD-së dhe LSI-së, që të dëshpëruara për rezultatin e dobët elektoral, u kthyen krahët edhe atyre që kishin zgjedhur si më të “besuarit”.

Por si do t’ia bëjnë për zgjedhjet e ardhshme lokale këto parti, kur nga sa kemi mësuar kjo gjë është e përsëritur?

Duket qartë se si te LSI-ja ashtu më pak edhe tek PD-ja, shumë nga drejtuesit lokal politik që kishin angazhuar stafe dhe të rinj, në fund kur kanë parë se nuk doli gjë, kanë ecur me parimin “KÇK” dhe ndaj kanë përvetësuar edhe fondet që ishin parashikuar për partitë elektorale nga buxheti i shtetit, me qëllim që të paguanin pikërisht stafet elektorale.

Komisionerët e LSI-së braktisin detyrën në Devoll, justifikohen se kanë “arsye familjare” por kalojnë te Partia Socialiste

Dëshmitë e anëtarëve të zhgënjyer në opozitës

L.M. një i ri 26-vjeçar nga Tirana i deklaroi “Priza.al” se, ai bashkë me dy kushërinjtë e tij ishin ofruar pranë LSI-së në njësi të ndryshme elektorale dhe si me që ishin me arsim të lartë, u ishte kërkuar që të regjistroheshin duke kontribuuar si vëzhgues apo komisionerë në disa qendra votimi.

“Na u kërkua nga drejtuesit politikë të zyrave të LSI-së, nëpër lagjet tona, që të kontribuonim duke u regjistruar si anëtarë komisionesh votimi, apo edhe vëzhgues në ditën e votimeve. Për këtë na u tha se do të merrnim nga 90 mijë lekë (të vjetra) shpërblim për atë ditë. Në fillim na thanë se pagesën do ta bënte të gjithën partia, direkt të nesërmen, por më pas na u tha se do të na e jepte KQZ-ja.

Këtu na thanë! Se te kjo e fundit kishim çuar kartat e identitetit dhe të dhënat e tjera personale dhe ishim regjistruar dhe pajisur me baxhe-identifikues.

Por më pas, d.m.th. pas datën 26 apo 27, askush nga drejtuesit e zyrave të LSI-së nuk po na hapte më as telefonin as whatsupp-in. Unë kisha sjellë edhe dy kushërinjtë e mi se ishin me shkollë të lartë dhe pa punë aktualisht.

Ata të zyrave na e bënë ‘behar’ fare dhe na premtuan se do na rregullonin me punëra të mira nëse fitonin zgjedhjet, në një kohë që për pagesat na dolën garant dhe na thënë ‘s’bëhet llaf që do t’i merrni në dorë’. Por tani as ua kemi parë më bojën dhe as ua kemi dëgjuar zërin.

Kemi pyetur në zyrat e postës se kur do të kalojnë shpërblimet nga KQZ-ja, por as nuk e dimë shumën e saktë dhe as se kur do të kalojnë. Në postë na kanë thënë se deri në gusht nuk keni shanse… Nuk e di se përse u treguan kaq të pafytyrë për 90 mijë lekë!”

Ndërkohë, Elkier. S. Një tjetër i ri nga Shkodra por me banim në Tiranë, i cili ishte pjesë e FRPD-së, deklaroi se edhe ai por edhe shumë miq të tij, kanë pasur të njëjtin fat te PD-ja, megjithëse u angazhuan dhe punuan ditën e zgjedhjeve si vëzhgues.

“Nga që ishim anëtarë dhe të angazhuar pranë FRPD-së, na u kërkua nga koordinatorët tanë që të angazhonim sa më shumë miq dhe të rinj.

Ne na u ofrua si ‘shpërblim i parë’ regjistrimi në qendrat e votimit të lagjeve tona si vëzhgues apo komisionerë për PD-në. Na u tha se do të paguheshim 50 mijë lekë (të vjetra) nga partia dhe gjysmën do të na e jepte KQZ-ja.

Për këtë dorëzuam edhe kartat e identitetit apo pasaporta (kush kishte), që të na merreshin të dhënat për regjistrim në KQZ.

Por kur përfundoi e gjitha pas datës 25, 26, askush nuk po na sqaronte më se si do të na bëhej pagesa për ne që punuam atë ditë. Unë lash angazhimet e mia dhe atë ditë u sfilitëm që puna të bëhej sa më mirë edhe sepse ishim në dijeni se po të kishte probleme përballeshim me përgjegjësi penale.

Si unë edhe disa shokë të mitë, ende nuk jemi paguar për punën e bërë edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysmë. Por ajo që na ka trishtuar është fakti se PD-ja një pjese që ishin komisionerë, vëzhgues apo numëruesve ua kanë dhënë lekët me kohë, madje jo nga 100 nga sa na u premtua ne por nga 500 mijë lekë”.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *