Në fillim e mbysim qytetin nga plehrat duke e lënë që ato të mbulojnë rrugë e trotuare, pastaj bëjnë sikur i vijnë në ndihmë bashkisë, e cila del sikur është e detyruar që të bëjë zgjedhjen më të fundit për të “shpëtuar”.
Kjo gjë po ndodh sot me mbledhjen dhe përpunimin e plehrave të Bashkisë së Durrësit, skenar ky që do ta kishin zili edhe mafiozët e Siçilisë dhe Napolit, që janë “specialistë” të kësaj pune.
Por duket se më “specialistë” se sa mafia italiane është kompania ‘Integrated Energy’, e biznesmenit të shumë përfolur Klodian Zoto, i cili me skemën e tij më të fundit në Durrës, duket se do të fusë në xhep miliarda të thata.
Prej ditësh situata në Durrës është bërë kaotike në lidhje me mbetjet urbane që kanë “pushtuar” thuajse të gjithë qytetin bregdetar, në kulmin e sezonit turistik kur dhe volumi i mbeturinave dyfishohet.
Duket se kjo skemë është studiuar me kujdes nga “shpikësit” e saj, edhe për faktin që në verë popullata në Durrës dyfishohet dhe po ashtu edhe konsumi për shkak të turistëve.
Por po ashtu dyfishohen edhe mbeturinat bashkë me minjtë dhe erën e keqe.
Kjo e fundit duket se ka përfshirë gjithë qytetin bregdetar, në një kohë që malet me plehra po bëhen si në Napoli në ditët më të zeza dhe po lartësohen çdo ditë e më shumë.
Ndonëse jemi në mes të sezonit turistik, Durrësi po përjeton kaos për shkak të mbetjeve urbane.
Situata është e rëndë, me plehrat që po dekompozohen mbi trotuare dhe brenda kazanëve nën temperatura përvëluese, por tashmë duket se e njëjta situatë po përfshin edhe periferinë e qytetit bregdetar.
Pikëirsht në këtë moment duket sikur shfaqet nga hiçi edhe shpëtimtari që është kompania “Integrated Energy” me Klodian Zoton e inceneratorit, që edhe pse është denoncuar për korrupsion dhe skema mafioze, vijon të ushtrojë aktivitetin e tij duke bërë para pa fund me plehrat.
Kush është kompania “Integrated Energy” e Klodian Zotos?
Kompania në fjalë, e cila operon në Sharrë me Inceneratorin e shumëdebatuar sidomos gjatë fushatës zgjedhore, i ka dërguar një letër bashkisë Durrës, duke i ofruar një “zgjidhje” për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Në shkresën e siguruar nga mediat thuhet se, “Bashkia mund të depozitojë mbetjet në landfillin e Sharrës, pa asnjë pagesë”.
Kompania private “Integrated Energy”, e cila ka ofruar prej 1 viti shërbim falas, i ka ofruar Bashkisë së Durrësit për menaxhimin e mbetjeve urbane edhe 17 ditë kohë, më pas bashkia duhet të nisë pagesat.
Është e paqartë me çfarë analize kostoje është përcaktuar tarifa e “Integrated Energy BV SPV” për Durrësin, qoftë ajo e përkohshmja prej 24 eurosh apo tarifa zyrtare prej 29 euro për ton. Aq më tepër që kompania pritet të përfitojë të ardhura shtesë nga skrapi dhe djegia e mbetjeve të Durrësit për energji elektrike.
Duke qenë se Durrësi prodhon 75,500 ton mbetje në vit, përfitimet e “Integrated Energy” nga shitja e skrapit llogaritet të kapin një vlerë prej 1.88 milionë euro në vit, ose 56.4 milionë euro gjatë 30 viteve të koncesionit. Nëse do të paguhet dhe tarifa prej 29 për ton, kompania koncesionare përfiton edhe 65.7 milionë euro të tjera, për një total pre 122 milionë euro.
Se sa do të zgjasë ndërhyrja ‘misterioze” e pushtetit qendror për depozitimin ‘falas’ të mbetjeve të Durrësit në Sharrë është ende e paqartë. Megjithatë, kur ‘dreka falas’ nga koncesionari të mbarojë, kostot që do të paguhen nga qyteti i Durrësit mund të jenë po aq shkatërrimtare sa tërmeti.
/Priza.al/